Vuçiq takohet me kryeministrin e Greqisë: Miqtë grekë na konfirmuan se nuk do të ndryshojnë qëndrim për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar në Athinë me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Vuçiq në Instagram ka thënë se “miqtë grekë” ia kanë konfirmuar atij edhe një herë se nuk do të ketë ndryshim për njohjen e Kosovës.
Ai ka thënë se me kryeministrin grek ka biseduar për qëndrimin e Greqisë për situatën në Kosovë.
“Një bisedë e mirë dhe miqësore me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, me të cilin shkëmbyem mendime për bashkëpunimin e përgjithshëm rajonal, çështjet globale dhe qëndrimin e Greqisë ndaj situatës në Kosovë. Miqtë tanë grekë kanë konfirmuar edhe një herë se nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin zyrtar për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të punojmë në forcimin e bashkëpunimit tonë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.” – ka shkruar Vuçiq në llogarinë në Instagram.
Vuçiq gjatë ditës së martë është takuar edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Edhe për Ukrainën, Vuçiq ka thënë se nuk do të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.