Vuçiq si Kurti për planin evropian: Më thanë merre ose leje, kërcënuan me izolim të Serbisë nga bota
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka folur në lidhje me takimin e djeshëm të mbajtur në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ku palët janë pajtuar për pranimin e propozimit franko-gjerman,
Duke folur për median shtetërore serbe, sipas Kosovo Online,ndër të tjera Vuçiq ka folur edhe për fillimin e këtij plani, duke kujtuar se ishte ide e Macron dhe Scholz, të cilët i kishin shkuar në Beograd “me një copë letër” duke i thënë “merre ose leje”.
“Secili prej nesh që ka ndonjë emocion dhe krenari do të thoshte – ik nga këtu, por kur e udhëheq vendin nuk mund të udhëhiqesh vetëm nga kjo. Duhet të mendosh për pasojat,”- është shprehur Vuçiq, ndërsa ka shtuar se është kërcënuar me tërheqje të investimeve.
Ai ka thënë se i janë paraqitur qartë pasojat në të cilat hynte ndërprerja e integrimit evropian, që nënkuptonte edhe ndërprerjen e investimeve të mëtejshme, e rrjedhimisht uljen e nivelit të punësimit.
“Ata thanë drejtpërdrejt për tërheqjen e investimeve dhe një sërë masash të tjera gjithëpërfshirëse, duke përfshirë se Serbia do të izolohej nga bota,”- citohet të ketë thënë Vuçiq.
