Vuçiq: Në Kosovë i kam 50 mijë votues, por s'i ndërroj me një jetë njeriu
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë sot mysafir në emisionin e mëngjesit në TV Prva, ku ndër shumë tema të diskutuara ishte edhe ajo e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, për të cilat tha se ai i merr mbi 90 përqind të votave të serbëve në Kosovë.
Përveç adresimit të kritikave ndaj autoriteteve në Kosovë, ai nuk ka hezituar ta kritikojë edhe emisarin e BE-së, Mirolsav Lajçak.
“Ka përpjekje nga njerëz të papërgjegjshëm për të bërë diçka. Kështu ndodhi edhe me zgjedhjet në Kosovë. Aty marr më shumë se 90 për qind të votave. Kanë llogaritur se nuk do të heq dorë nga 50 mijë vota dhe se do të më detyrojnë të futem në këtë, e pastaj të shohin kënd ta dëbojnë nga Kosova. Prandaj iu luta njerëzve poshtë që të ruanin paqen dhe ato 50 mijë vota, nëse kjo është diferenca që më duhet, atëherë nuk duhet të jem në pushtet. A është më e rëndësishme vota apo që serbët në Kosovë të jenë gjallë? E di se si do të dukej, serbët do të mbroheshin. A është më e vlefshme një jetë në Kosovë apo 50 mijë vota”, pyeti Vuçiq.
Sipas Vuçiqit, Miroslav Lajçak ka takuar zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, dy ditë pas deklaratës së Quint-it, ku shtetet anëtare u deklaruan se janë të zhgënjyera me Prishtinën, ngase ajo nuk i ka lejuar serbët të votojnë.
Sipas Vuçiqit, pas takimit, Lajçak ka lëshuar një deklaratë në të cilën e ka vlerësuar Bislimin.
“Kjo është kaq e paturpshme, arrogante, në deklaratën në të cilën nuk keni rënë dakord për asgjë. As për mënyrën se si serbët të votojnë në zgjedhje, në kohën kur po e pengojnë popullin e Kosovës të votojë në zgjedhje, a nuk është kjo arrogancë! Unë duhet të kujdesem për popullin serb në Kosovë sepse çdo fjalë që them mund ta rrezikojë atë”.
Duke kujtuar humbjet dhe pasojat nga bombardimi i NATO-s, Vuçiq tha se për serbët sot është një ditë e rëndë historike, një ditë kur patëm pasoja shumë më të mëdha dhe më të rënda se në vitin 1941.