Vuçiq e konfirmon se është dëmtuar marrëdhënia e tij me Daçiqin
Presidenti i Serbisë dhe kryetari i Partisë Përparimtare Serbe, (SNS), Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pas seancës parlamentare të mbajtur për Kosovën, janë dëmtuar ndjeshëm marrëdhëniet mes partisë së tij dhe Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), në krye të së cilës është, Ivica Daçiq.
“Asgjë nuk do të ndodhë brenda natës, por ajo që ka ndodhur e ka dëmtuar ndjeshëm marrëdhënien tonë. Kjo nuk është e gjitha, ka edhe gjëra të tjera dhe nesër do të flas sërish me Daçiqin,”- ka thënë Vuçiq.
Sipas Kosovo Online, megjithatë, ai ka thënë se nuk mendon që mbajtja e zgjedhjeve është gjëja e duhur tani për Serbinë.
“Personalisht nuk kam më besim, por shteti është mbi marrëdhëniet personale. Ne e respektojmë SPS-në, por tani e dimë se në kohë të vështira mund të mbështetemi vetëm te vetja,”- është shprehur Vuçiq.
Ndër të tjera, bëhet e ditur se ai ka shtuar se ekziston gjithmonë mundësia e krijimit të një mazhorance tjetër, e cila është legjitime, por që nuk pritet që SNS të mos e kundërshtojë atë.
Vuçiq po ashtu ka thënë se nuk është e vërtetë që ai ka përmendur në samitin e partisë se dëshiron të jetë kryeministër.
“Detyra ime është të kujdesem për vendin dhe do të vazhdoj edhe për ca kohë. Nuk kam thënë kurrë që dua të jem kryeministër, dhe se do të kandidoj për kryeministër. As nuk është dëshira ime, as nuk e kam thënë në takim,”- ka thënë Vuçiq.
Kujtojmë se Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit dhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e Daçiqit janë në koalicion qeveritar.

