Vuçiq arrin në Rashkë: Do të shohim nëse largohen barrikadat, do të jetë një natë e vështirë - NACIONALE

Vuçiq arrin në Rashkë: Do të shohim nëse largohen barrikadat, do të jetë një natë e vështirë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka arritur në Rashkë, raporton medium serb “Kosovo-Online”. Ai atje do të takohet me serbët e Kosovës, ndërsa ajo që pritet, është të vendoset ose jo për largimin e barrikadave.

Vuçiq nga atje ka deklaruar se do të jetë një natë e gjatë dhe e vështirë, ani se në një shkrim më herët, deklaroi se “është një ditë e mirë për Serbinë”.

“Do të jetë një natë e gjatë dhe e vështirë. Nuk mendoj që ishte ditë e keqe…E kuptoj popullin serb në Kosovë, kurrë nuk do të jenë të kënaqur, janë të pakënaqur me pozicionin e tyre sepse nuk e dinë se në cilin vend jetojnë.” – tha ai.

Vuçiq ka pretenduar se sot për herë të parë morën një “burim të ligjit”, derisa përmendi edhe çështjen e barrikadave.

“I presim të vinë me kërkesa për mua dhe Serbinë, do të shohim nëse do të pranojnë që të largohen barrikadat.” – ka thënë ai.

Mediumi në fjalë, raporton se Vuçiq ka deklaruar se “kanë përgatitur pizhama ushtarake” në rast se do të qëndrojnë më gjatë.

Reagimi i ShBA-së dhe BE-së

Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një deklaratë të përbashkët me Bashkimin Evropian në lidhje me rritjen e tensioneve në veri të vendit.

Në këtë deklaratë thuhet që BE-ja me ShBA-të janë të shqetësuara për situatën e vazhdueshme të tensionuar në veri të Kosovës.

Ata u kanë bërë thirrje palëve, siç thonë, që të përmbahen dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për veprime që e qetësojnë situatën.

“Po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të zgjetur zgjidhje politike në mënyrë që të shtensionohet situata dhe të ketë pajtim për ecje përpara në të mirë të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies në komunitetet lokale,” – thuhet në këtë komunikatë.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe BE-ja përmes zëdhënësve të tyre kanë thënë që kanë marrë garanci nga lidershipi i Kosovës se nuk ka lista të qytetarëve serbë për t’u arrestuar apo përndjekur.

Në komunikatë thuhet edhe se të gjitha obligimet e dialogut duhet të implementohet pa asnjë shtyrje.

Lirimi i Pantiqit

Dejan Pantiqit iu zëvendësua masa e paraburgimit prej 30 ditësh sot me një masë më të butë: arrest shtëpiak. Kjo shqetësoi jashtëzakonisht shumë opinionin publik në Kosovë, me pushtetin që po sulmon institucionet gjyqësore.

Dhe kjo komunikatë duket se përfshin edhe një çështje të tillë. Ja çka thuhet në njërin prej paragrafëve të saj:

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin punën e Bashkimit Evropian përmes misionit të saj për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX). Eulex-i, në përputhje me mandatin e saj, do të vazhdojë të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektin për të drejta të njeriut. Kjo përfshin, veçanërisht, garancitë për gjykim të drejtë, e po ashtu edhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet jo-shumicë në Kosovë.”

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, ka lënë vend për dyshime për “ndonjë marrëveshje të kryeministrit Kurtit” për lirimin e ish-zyrtarit policor, Pantiq.

Lajme të ngjashme