Votat me postë nga diaspora, VV kërkon hetim pas rritjes së LDK-së - NACIONALE

Votat me postë nga diaspora, VV kërkon hetim pas rritjes së LDK-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 400 për qind më shumë vota në diasporë, duke kërkuar që ky process të hetohet.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, zëdhënësi i kësaj partie ka thënë se kërkojnë “hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara”.

“Është evidente skema që është përdorur nga votimi përmes postës në mërgatë. 400% më shumë vota për LDK-në, me vota shabllone për kandidatë të caktuar, ndërkohë që ekstremisht larg nga ky trend janë PDK e parti të tjera opozitare.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i pastër, i drejtë dhe i ndershëm. Sikurse, shkeljet dhe parregullsitë e evidentuara tashmë i kemi raportuar në polici dhe prokurori. Mbetemi në pritje të reagimeve konkrete dhe zyrtare nga institucionet përgjegjëse” – ka shkruar ai.

Theksojmë se nga votimi përmes postës, VV-ja ka marrë 51.57 për qind të votave apo 31 mijë e 963. LDK ka arritur të marrë mbi 30 për qind të votave, apo 18 mijë e 933.

PDK ka dalë e treta me 9.48 për qind apo 5 mijë e 878. AAK ndërkaq, nga votimi me postë ka marrë 3.23 për qind apo 2 mijë.

Lajme të ngjashme