Von Cramon: Ushtria dixhitale e VV-së, kufizon lirinë e fjalës
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, vazhdon të shpreh kundërshtinë ndaj sulmeve e linçimeve që bëhen online nga përkrahës të partisë në pushtet.
Duke shpërndarë një artikull të Ballkan Insight, ajo ka thënë se ushtria digjitale e VV-së e kufizon lirinë e fjalës.
“Faleminderit për këtë pjesë të rëndësishme. Në të vërtetë ushtria dixhitale e VV kufizon lirinë e fjalës”, ka shkruar ajo.
Më poshtë, Cramon ka shpërndarë një pjesë të artikullit ku thuhet: “Në Kosovë, ish-anëtarët e partisë në pushtet Vetëvendosje kanë konfirmuar gjithashtu ekzistencën e një ushtrie dixhitale që ka për detyrë të përhapë informacione, të rrisë praninë dixhitale dhe të synojë pikëpamjet e kundërta.”
Vetëm pak ditë më parë, Cramon ishte përfshirë në një replikë me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.
“Qeveria e Kosovës nuk është përfshirë dhe nuk do të përfshihet kurrë në abuzim të pushtetin duke sponsorizuar trollët në internet. Ne i mohojmë akuzat nga Cramon, me të cilën komunikojmë rregullisht përmes kanaleve zyrtare. Ne i bëjmë thirrje asaj dhe të tjerëve që të mos mbështesin teoritë e konspiracionit kundër një qeverie demokratike”, tha Kryeziu.
Kohë më parë, ish-deputeti Florin Krasniqi kishte konfirmuar se në VV ekzistonte në zyrë që merrej veç me aktivitetin në rrjete sociale, ku sulmoheshin persona me bindje të ndryshme.