Vlera e koeficientit 105: Kurti ia rriti vetës pagën, por për sa euro? - NACIONALE

Vlera e koeficientit 105: Kurti ia rriti vetës pagën, por për sa euro?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar vlerën e koeficientit për paga, e cila do të jetë 105 për këtë vit, ndërsa u pretendua se do të bëhet 110 gjatë vitit 2024.

Që në bërjen publike, kjo vlerë e përcaktuar nga Qeveria po kritikohet, por vlen të përmendet një gjë, Kurtit i është rritur paga.

Deri më tani, kryeministri Kurti ka marrë pagë bruto rreth 1 mijë e 500 euro në muaj, por tash pritet që të paguhet më shumë.

Vlera e koeficientit është 105, ndërsa koeficienti për pagën e kryeministrit është 17, dhe në bazë të përllogaritjes, del se Kurti tash do të paguhet 1 mijë e 785 euro, pra 285 euro më shumë.

Ndërkohë, koeficientin më të lartë e ka presidentja e vendit, më 18, e cila do të paguhet 1 mijë e 890 euro në muaj.

Kryeparlamentari ndërkaq, do të ketë pagë të njëjtë si kryeministri, pasi që edhe koeficientin e kanë të njëjtë.

Murati lavdërohet me vlerën

Ministri i Financave, Hekuran Murati, është lavdëruar në mbledhjen e qeverisë me vlerën e koeficientit e cila u përcaktua 105 euro.

Ai ka pretenduar se buxheti për paga është rritur për 100 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.

“Vlera do të jetë 105 euro. Pa shtesa pra. Pasi nëse marrim edhe shtesat, ato përbjën 12% të tërësisë së vlerës së pagave, dhe duke filluar nga shtesa e përvojës së punës, shtesa për kushte specifike e rrezikshmërinë, shtesa të tjera për kategori specifike, dhe ajo tranizitore që ajo mundëson që askujt mos t’i ulet paga."
- tha Murati.

Pakënaqësitë e para

Sa i përket kësaj çështje, gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe Kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Mos na thirrni hiç më mirë, na kanë shtre për toke. Unë prej mjeteve të informimit e mora vesh." - është shprehur Zeqiri që në fjalët e para të telefonatës.

Ai për Nacionalen shtoi se përcaktimi i vlerës së koeficientit prej 105 eurosh është i papranueshëm për Policinë e Kosovës.

Përcaktimi i vlerës së koeficientit për Policinë e Kosovës është e papranueshme, edhe jo vetëm që ka me pas ankesa, unë e di që ka shumë pakënaqësi në tërë sektorin publik, por sidomos tek ne është jashtëzakonisht e papranueshme. Me këtë vlerë të koeficientit dhe me pjesën tjetër të ligjit që i kanë zbrit shtesat e tjera me ligj të pagave, nuk ka rritje të pagave, përkundrazi tek një pjesë e policisë ka zbritje, prandaj kjo është ajo që jo që është e papranueshme por këtu sigurtë dikush po don me e shkatërru këtë vend." - ka thënë tutje ai.

Lajme të ngjashme