Ku mbeti "orientimi i vendit drejt eksportit" sipas Kurtit? Bilanci tregtar vazhdon rrjedhën negative - NACIONALE

Ku mbeti "orientimi i vendit drejt eksportit" sipas Kurtit? Bilanci tregtar vazhdon rrjedhën negative

2 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Përkundër pretendimeve të shpeshta të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se me qeverisjen e tij Kosova po bëhet "një vend i orientuar drejt eksportit", shifrat e vitit 2023 sa i përket tregtisë së jashtme të vendit u karakterizuan me një rrjedhë negative në kontekst të bilancit tregtar të vendit. Rënie e eksporteve është shënuar edhe në fillim të vitit 2024, duke sfiduar kështu 'mitin' e suksesit të qeverisë Kurti në këtë drejtim.

Gjatë një fjalimi në janar të këtij viti në panairin e ndërtimit “Swiss Bau 2024”, Kurti tha se Kosova ka shënuar rritje të eksporteve në tre vitet e fundit, duke kaluar shifrën prej 2 miliardë euro. Sigurisht, siç ndodh rëndom, ai zgjodhi vitin me metodën e 'vjeljës së qershisë' për të krahasuar vlerat.

Madje, ai tha se kjo tregon se "do të bëhemi një vendi i orientuar ka eksporti, nuk është e rastësishme që për dy vite e gjysmë janë dyfishuar eksportet, ku në tre vitet e fundit gjithsejtë, vlera e eksporteve të Kosovës, ka arritur në 2.5 miliardë euro".

Megjithatë, raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë gjithë vitit 2023 mbetën kokëfortë, duke na dhënë projeksione se Kosova realisht – në kontrast me pohimet e Kurtit – po shndërrohet në një vend të orientuar drejt importit.

Pothuajse në çdo muaj të vitit 2023, raportet tregtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës treguan rritje të deficitit tregtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky thellim i deficitit nënkupton një zgjatje të çekuilibrit midis produkteve që importohen dhe atyre që eksportohen.

Në vitin paraprak, vendi importoi produkte në vlerë prej 5.6 miliardë euro, ndërkohë që eksportuam vetëm rreth 820 milionë euro.

Nëse kjo vlerë krahasohet me vitin 2022, kohën kur Kurti s’linte paraqitje pa marrë meritat e performancës tregtare të Kosovës gjatë atij vitit, rënia në eksporte rezultoi rreth 100 milionë euro.

Madje, pretendimet e çuditshme të Kurtit për rritje të eksporteve vazhduan edhe gjatë vitit kur Kosova po përballej me performancë negative.

Megjithatë, vendi jo vetëm që pa një përkeqësim të tregtisë së jashtme, por raporti i fundit i Bankës Botërore konstatoi se rritja reale e Bruto Produktit Vendor u tkurr në rreth 3.1 për qind në vitin 2023, kryesisht, për shkak të performancës së dobët në eksporte.

“Në vitin 2023, rritja reale e BPV-së u moderua në rreth 3.1 për qind, kryesisht për shkak të një kontributi më të ulët të eksporteve.” – thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Bilanci tregtar i vendit nuk ka shënuar përmirësim as gjatë vitit 2024. Me përjashtim të muajit prill, ku vërehet një rritje e lehtë e eksporteve, në tre muajt e mëparshëm eksportet kanë shënuar rënie.

Krahasuar me të njëjtat periudha të vitit 2023, deficiti tregtar në janar është thelluar me 9,9 për qind, 25,2 për qind në shkurt dhe 3 për qind në mars.

Kujtojmë se Kurti pretendoi në mars të këtij viti se përgjatë mandatit të tij ka pasur përmirësim të raportit eksport-import nga 1 me 9 në 1 me 6.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami reagoi ashpër ndaj pretendimeve të Kurtit duke argumentuar se raporti mes eksporteve dhe importeve në vitin 2023 është 1 me 7, i njejti si në vitin 2020.

“Kanë thënë se raporti eksport import kur e ka marrë mandatin ka qënë 1:9 dhe sot është 1:6. Asnjëra nuk është e vërtetë, sepse sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2020 Kosova ka eksportuar 439 milionë euro dhe ka importuar 3,271 milardë euro, rrjedhimisht raporti eksport-import për 2020 është 1:7 derisa në vitin 2023 Kosova ka eksportuar 820 milionë euro dhe ka importuar 5,8 miliardë euro, rrjedhimisht raporti eksport-import prapë është 1:7”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Lajme të ngjashme