Kurti 'provokoi' realitetin objektiv me mirazhin e “87 mijë vendeve të punës”, dekonspirohet keq nga ekonomistët - NACIONALE

Kurti 'provokoi' realitetin objektiv me mirazhin e “87 mijë vendeve të punës”, dekonspirohet keq nga ekonomistët

2 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Në një deklaratë të dhënë së fundmi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pretendoi se nga viti 2019 deri në vitin 2023, "janë krijuar mbi 87,000 vende të reja pune". Pretendimi, i cili 'provokon' seriozisht vetë realitetin objektiv në Kosovë, u shoqërua me dekonstruksione të detajuara nga deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami dhe ekonomisti Shenoll Muharremi.

Në sagën e akrobacive me numra përmes interpretimeve përdredhëse, ndonëse jo shumë kohë më parë pranoi se ka rritje formale të punësimit, Kurti pretendoi se janë hapur mbi 87 mijë vende pune nga 2019 në 2023.

“Nga 331 mijë e 744 vende pune në mbyllje të vitit 2019 në fund të vitit 2023 kemi 419 mijë e 126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26%.” – citohet se ka thënë ai, sipas “EO”.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur nga portretizimi optimist i Kurtit në lidhje me peizazhin ekonomik të vendit. Kritikët nga partitë opozitare dhe ekonomistë të pavarur i kanë shqyrtuar pretendimet e tij, duke sugjeruar se mes deklarimeve të Kurtit ka “manipulime”.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Kurtin se ka rritur numrin e vendeve të punës për 29 mijë.

Ajo ka argumentuar se nëse merren numrat e Trustit Pensional, që sipas saj është me i besueshëm se Administrata Tatimore, numri mesatar i llogarive aktive është 331 555, derisa në vitin 2021 kjo shifër ishte 315 722.

“Për me tepër nëse ne dëshirojmë me ditë numrin e të punësuarve në vend, me punësim stabil atëherë ka një institucion ku ne mund t’i shohim shifrat dhe ai institicion është Trusti i Kursimeve Pensionale. Trusti është me i besushëm se Administrata Tatimore për faktin se në ATK nëse një person punon në tri ose katër vende, ATK e llogaritë tri, respektivisht katër herë, e të tillë nuk janë pak. Sipas Trustit të Kursimeve Personale në vitin 2022 numri mesatar i llogarive aktive është 331 555, derisa në vitin 2021 kjo shifër ishte 315 722.” – tha ajo ndër të tjera.

Sipas saj, pretendimi i Kurtit është "një pavërtetë e madhe të cilën nuk kanë si e kamufolojnë dezinformuesit qeveritarë".

Më tej, deputetja Bajrami argumenton se qeveria duhet të përqendrohet në krijimin e një klime të favorshme për bizneset, dhe jo në manipulimin e statistikave për qëllime politike.

Kritik i ashpër i deklaratave të Kurtit në lidhje me vendet e reja të punës ishte edhe ekonomisti Shenoll Muharremi. “Çmenduri dhe manipulim i pastër ose një e arritur e madhe e tij që duhet ta vlerësojmë”, e nisi reagimin e tij të gjatë në Facebook.

Muharremi fillimisht vuri theksin te terminologjia e përdorur nga Kurti duke kujtuar se “nuk krijon punësime qeveria, ajo krijon kushte të mira për biznesbërje dhe investime e sektori privat i krijon vendet e punës.”.

Më tej, ai dekonstruktoi pretendimet vite dritë larg realitetit objektiv të Kurtit për "83 mijë vendet e punës".

“Mundemi me vërtetu shumë lehtë lëhtë këtë: Sipas të dhënave zyrtare tuajat, në vitin 2020 kemi pasur 83,056 persona të punësuar në shërbimin publik. Ndërsa në vitin 2024 kemi 91,046. Këtu kemi një rritje prej vetëm 7,990 personave. Por as me këtë 'rritje' ti nuk duhesh me u krenu aspak se ne duhet me zvogëlu numrin e shërbyesëve civil dhe me digjitalizu sistemin. Kjo rritja e ka rënduar sektorin privat që paguan fatura më të larta tani për pagat e jauja. E mbi të gjitha, qeveria juaj dhe VV ka punësuar militantët e vet në shumicën e rasteve. Pra kjo është një ndër pikat më të dobëta tuajat.” – shkroi Muharremi.

Sipas tij, deklaratat të tilla nga kreu i ekzekutivit “ngacmojnë tej mase opozitën, mediat dhe shoqërinë civile”.

Reagimi i plotë:

Lajme të ngjashme