Vjosa Osmani-Sadriu ulet më “për toke” pas kritikave të gazetës Nacionale
Duket se presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, ka ndryshuar paksa qasjen e saj në raport me angazhimin si presidente pas kritikave të bëra nga gazeta Nacionale para një jave.
Nacionale kishte kritikuar presidenten Osmani duke kërkuar një qasje më “për toke”, e më të lidhur me qytetarët e thjeshtë të vendit.
“Si shumë e shumë liderë tjerë vendesh të vogla – e megjithatë më të mëdha se Kosova – ajo duhet të ketë një qasje më për toke. Ta zëmë, mund t'i ofrojë strehë në shtëpinë e saj ndonjë viktime të dhunës në familje, qoftë edhe si simbolikë e luftimit të kësaj dukurie. Të jetë përditë e pranishme te grupet e margjinalizuara dhe të jetë sa më pak formale në diskutime e në debate duke denoncuar shtypjen dhe duke u bërë me të shtypurit. Të shkojë në shtëpitë e qytetarëve tanë serbë, e të flasë me ta për të krijuar një platformë për dialogun e brendshëm. Të shkojë edhe te shtëpitë e qytetarëve tanë romë, ashkali e egjiptas. Të shkojë edhe në shtëpitë apo banesat e qytetarëve të seksit të njëjtë që bashkëjetojnë me njëri-tjetrin.” – shkruante Nacionale më 31 mars në shkrimin e titulluar “Lufta e Vjosës me Putinin dhe dorëzimi para homofobisë, Qosjes, Kurtit dhe ambasadorit amerikan”.
Znj. Vjosa Osmani ishte kritikuar edhe për heshtjen e saj për çështjen e Kodit Civil dhe bashkësive të regjistruara civile të seksit të njëjtë, por po ashtu edhe pas kritikave të ashpra të ambasadorëve të QUINT-it në lidhje me votimin e qytetarëve serbë në zgjedhjet serbe në Kosovë.
Sidoqoftë, kjo qasje duket se po ndryshon për të mirë.
Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu ka hyrë LIVE në Facebook gjatë mëngjesit të sotëm. Ajo duket e ulur në veturën e saj dhe e pështetur për dere, derisa tregon se po udhëtonte për në Gjilan.
“Tani është më se e domosdoshme që të flasim me kryetarët e komunave. Kemi filluar me komunën e Gjilanit, që udhëhiqet nga kryetari më i ri në moshë, për t’u parë se çfarë punësh po bëhen dhe çfarë punësh mund të bëhen bashkarisht... do të vizitojmë punimet që janë bërë në një shkollë për t’u krijuar qasje të gjithë nxënësve me nevoja të veçanta. Ky përurim do të bëhet në bashkëpunim me UNICEF-in. Më pas do të vizitojmë edhe disa OJQ dhe po ashtu biznese. Pas bizneseve do të jemi mysafirë në një familje dëshmori për ta kryer iftarin së bashku.” - thotë mes tjerash presidentja në video-spotin në fjalë.
Shpresojmë që presidentja do të forcojë lidhjen e saj me qytetarët e thjeshtë të vendit, dhe mes tjerash, do të merret edhe me hallet ekonomike të qytetarëve pas rëndimit të gjendjes shkaku i inflacionit të lartë.
Vjosa Osmani-Sadriu më 4 prill ka mbushur një vit si presidente e Kosovës.
Përgjatë javëve të fundit, ajo ka bërë një varg deklaratash ku denonconte presidentin rus Vladimir Putin por edhe përkëdheljen që i bëhej nga Bashkimi Evropian presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit.
Në një tekst të përgatitur gjatë ditës së djeshme, presidentja Osmani-Sadriu kritikohej nga gazeta Nacionale edhe për raportin e saj të pashëndetshëm me komunitetin serb të vendit.
Nga opozita ajo është parë si një figurë jounifikuese për shkak të raportit më të afërt me Vetëvendosjen e kryeministrit Albin Kurti. Sidoqoftë, raporti me opozitën pas një viti të saj në presidencë duket më i zbutur dhe relaksuar.