Vjosa me dy kryetarë: Eksperimentet me demokracinë e brendshme të partive kosovare (VV, PDK, FER, Nisma, AKR, PF) - NACIONALE

Vjosa me dy kryetarë: Eksperimentet me demokracinë e brendshme të partive kosovare (VV, PDK, FER, Nisma, AKR, PF)

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së djeshme u mbajt Kuvendi Zgjedhor i partisë “Guxo”, të themeluar nga bashkëpunëtorët e presidentes Vjosa Osmani Sadriu. Ata i zgjodhën dy kryetarë, dhe thanë se kjo ishte “risi” për demokracinë e Kosovës. Por, a është? Më poshtë keni disa prej ‘eksperimenteve’ më interesante të partive tona.

Faton Peci dhe Donika Gërvalla do të jenë dy kryetarët e partisë Guxo. Por, është e vështirë të mos mendohet si kryetare edhe Vjosa Osmani, presidentja në emrin e të cilës u themelua partia. Po ashtu, e vështirë është të mos mendohet si kryetar edhe Prindon Sadriu, burri i presidentes. Dhe, më e vështira nga të gjitha është që të mos mendohet si kryetar edhe Albin Kurti.

Ky i fundit ishte i pranishëm në kuvendin e djeshëm të kësaj partie politike.

FER-i, dy kryetarë

Fryma e Re (FER) ishte një parti politike e themeluar në fillim të viteve 2010’ nga Shpend Ahmeti dhe Ilir Deda që premtonte “një frymë të re” në politikën kosovare.

Edhe Ahmeti e edhe Deda ishin realisht kryetarë të kësaj partie politike.

Ata do të merrnin pjesë në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2010, por do të zhgënjeheshin. FER s’do të arrinte që ta kalonte pragun zgjedhore prej 5%, ndërkohë që muaj më vonë ky subjekt do të shkrihej i tëri në Lëvizjen Vetëvendosje.

Nisma, dy kryetarë

Nisma për Kosovën do të themelohej pas përplasjeve në PDK po në fillim të viteve ‘2010. Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi do të largoheshin nga partia që drejtohej nga Hashim Thaçi duke marrë edhe një pjesë të konsiderueshme të strukturave të saj.

Fatmir Limaj do të zgjidhej kryetar i këtij subjekti politik, detyrë që e ushtron edhe sot. Por, kjo parti politike do të sjellte një risi në politikën kosovare. Jakup Krasniqi nuk do të ishte as nënkryetar e as sekretar, por kryetar i Këshillit Kombëtar.

Edhe kjo ishte interpretuar në atë kohë si një parti me dy kryetarë partie.

PDK me dy kryetarë

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, prej vitit 2016 besohet se ka funksionuar me dy kryetarë. Hashim Thaçi do të jepte dorëheqje për t’u zgjedhur president i vendit, për t’i lëshuar rrugën e kryetarllëkut Kadri Veselit.

Por, Thaçi do të takonte edhe në cilësinë e presidentit – jopublikisht – struktura të ish partisë së tij. Ai do konsiderohej si një kryetar tjetër i PDK-së krahas Veselit që ishte kryetar edhe me letra.

Që të dy, edhe Veseli e edhe Thaçi që nga tetori i vitit 2020 ndodhen të paraburgosur në Hagë nga Gjykata Speciale. Ndërkohë që Memli Krasniqi tash e më shumë se një vit ushtron detyrën e kryetarit.

Një risi tjetër e kësaj partie ishte edhe pozita e “zëvendës-kryetarit”. Këtë detyrë e kishin ushtruar Enver Hoxhaj dhe Kadri Veseli.

VV-ja, me kryetar të përhershëm

Lëvizja Vetëvendosje në një pikë të statutit të saj kërkonte nga kryetari i saj që të dorëhiqej në rast se zgjidhej kryeministër. Por, në vend të kryetarit, Albin Kurtit, ‘dorëheqje’ kishte dhënë më 3 shkurt 2020 ajo pikë e statutit në momentin që ishte zgjedhur kryeministri i ri.

Nga shumë përcjellës të zhvillimeve politike në vend, Albin Kurti shihet si një figurë shumë autoritative me mandat realisht të përhershëm në krye të subjektit politik që themeloi.

Aktualisht po mbahen zgjedhjet e brendshme partiake, dhe Kurti nuk duket se do të sfidohet pasi në atë që mund të konsiderohet si fushatë brendapartiake – mbledhja e XLVIII të saj, kritikoi ministra e deputetë nga partia e tij në vend se t’ju kërkonte vota.

AAK, me kryetar të përhershëm

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përgjatë gjithë ekzistencës së saj dy-dekadëshe nuk ka pasur kryetar tjetër përpos Ramush Haradinajt. Hiç, asnjë. Madje, qoftë edhe formalisht.

Blerim Shala raportohet të ketë qenë ushtrues detyre i kryetarit

Demokracia e brendshme në këtë parti politike po ashtu kritikohet vazhdimisht nga njohës të rrethanave politike në vend. Ndërkohë, Haradinaj mbetet i pakontestueshëm nga ana e bashkëpartiakëve të tij.

AKR-ja, me president të përhershëm

Rrahim Pacolli besohet të ketë qenë për një periudhë të shkurtër kryetar i AKR-së në një episod jo aq të njohur për publikun. Por, nuk dihet nëse mbledhja në fjalë ka pasur ligjshmërinë meritore.

Përtej këtij episodi, Behgjet Pacolli ka qenë president i kësaj partie që nga themelimi i saj në mes të viteve 2000. President i pasfiduar nga askush prej vartësve të tij.

Alternativa me dy kryetarë

Edhe Alternativa e Mimoza Kusari Lilës – që vazhdon të ekzistojë formalisht – ka pasur për një periudhë kohore dy kryetarë.

Përveç Mimozës, kryetar ishte edhe Ilir Deda. Por, Deda do të braktiste Mimoza Kusarin derisa kjo e fundit do të gravitonte afër Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.

Kjo parti politike ka festuar pesë vjetorin e themelimit disa javë më parë, derisa hapësira e vogël ku po mbahej festa ishte mbushur nga njerëz të VV-së.

Partia e Fortë

Një ‘eksperiment’ sarkastik e kishte bërë Partia e Fortë, e udhëhequr nga Visar Arifaj, për të ekspozuar ‘eksperimentet’ e partive politike. Arifaj kishte dhënë idenë, dhe e kishte zbatuar për aq sa vlen, që secili prej njerëzve që anëtarësohej në partinë që drejtonte të shpallej me automatizëm “nënkryetar” i Partisë.

Administratorët e gazetës Nacionale kanë kërkuar mendimin e lexuesve të saj në Viber në lidhje me fatin që pritej ta kishte Lista Guxo në sferën publike kosovare.

A ka të ardhme partia e Vjosa Osmanit? – ishte pyetja e shtruar. Mbi 94 për qind e qytetarëve kishin votuar JO, pak mbi 3 për qind PO ndërsa mbi 1 për qind “Vetëm nëse futet në parti tjetër”.

Lajme të ngjashme