VITA i reagon AUV-it: Publikuam analiza që konfirmojnë se produktet tona janë 100% qumësht, rezultatet e 2 korrikut po i presim - NACIONALE

VITA i reagon AUV-it: Publikuam analiza që konfirmojnë se produktet tona janë 100% qumësht, rezultatet e 2 korrikut po i presim

3 orë më parë

nga NACIONALE

Qumështorja VITA ka reaguar ndaj sqarimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, pasi kjo e fundit demantoi raportimet se janë publikuar rezultatet e analizave laboratorike për mostrat e qumështit të marra nga Inspektorati më 02.07.2026.

Në reagimin e saj, VITA thotë se nuk ka publikuar rezultatet e mostrave të datës 2 korrik, por rezultate të analizave të mëhershme, të cilat, sipas kompanisë, i janë përcjellë nga AUV.

“Reagimi juaj na ka befasuar. Cili është qëllimi i këtij sqarimi, kur ne nuk kemi publikuar rezultatet e mostrave të datës 02.07.2026?”, thuhet në reagimin e Qumështores VITA.

Kompania ka deklaruar se ka publikuar vetëm rezultatet e analizave që, sipas saj, i janë përcjellë nga institucioni për mostra të mëhershme.

“Ne kemi publikuar vetëm rezultatet e analizave që na janë përcjellë nga institucioni juaj për mostrat e datës 04.05.2026, të cilat konfirmojnë se produktet VITA janë 100% qumësht, pa qumësht pluhur dhe pa vaj palme”, thuhet në reagimin e VITA-s.

Reagimi i kompanisë vjen pasi AUV njoftoi se analizat laboratorike të mostrave të marra më 02.07.2026 janë ende në proces dhe nuk kanë përfunduar. Agjencia kishte demantuar raportimet në media lidhur me pretendimet se janë publikuar rezultatet për mostrat e marra gjatë inspektimit të 2 korrikut.

“AUV nuk ka përcjellur asnjë email me rezultate sepse të tilla ende nuk ka”, thuhej në reagimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

AUV po ashtu kishte theksuar se “Analizat laboratorike të mostrave të marra më 02.07.2026 janë ende në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar”. Sipas Agjencisë, rezultatet zyrtare do të bëhen publike vetëm pas përfundimit të të gjitha analizave laboratorike dhe verifikimit nga autoritetet kompetente.

Në reagimin e saj të fundit, VITA thotë se në deklaratën fillestare kishte theksuar qartë se rezultatet e mostrave të datës 02.07.2026 ende janë duke u pritur.

“Në të njëjtën deklaratë kemi theksuar qartë se rezultatet e mostrave të datës 02.07.2026 ende po i presim, sipas zotimit të Ministrit se do të publikohen deri më 13.07.2026. Pikërisht për respekt ndaj fermerëve dhe këtij procesi kemi vazhduar përkohësisht grumbullimin e qumështit”, thuhet në reagimin e VITA-s.

Kompania ka shtuar se nuk e kupton arsyen e reagimit të AUV-së, duke thënë se deklarata e saj nuk bie në kundërshtim me procesin që është duke u zhvilluar.

“Prandaj, nuk e kuptojmë arsyen e këtij reagimi, pasi deklarata jonë nuk bie në kundërshtim me procesin që është duke u zhvilluar”, thuhet më tej.

Lajme të ngjashme