Vetëvrasja e Kurtit në mejdanin kundër X-diplomacisë së Trumpit
Prej 2019-s e deri më sot, Kurti dhe Vetëvendosja i kanë minimizuar përplasjet me ShBA-në edhe kur ato kanë arritur nivele kritike. Arsyetimi i përhershëm ka qenë se filani ose fisteku nuk përfaqësojnë politikën e Washingtonit. Njëjtë u tha këtyre ditëve edhe rreth deklaratave të fundit të Richard Grenellit—që u mbështetën edhe prej djalit të Trumpit, Donald Trump Jr. Në fakt, politika e re trumpiste, duke pasur pas vete edhe Elon Muskin, mesazhet që i jep në platformën ‘X’ i ka qëndrime prej së vërteti e jo hajgare.
Col Mehmeti
Afishimet në platformën ‘X’ nuk janë qëndrime kuturu e as lojë fjalësh. Në realitetet e reja me ardhjen e administratës së re në Shtëpinë e Bardhë, platforma ‘X’ është baraz me një faktor në vete.
Ka çdo arsye të besohet se përfshirja e djalit të presidentit amerikan Donald Trump, Donald Trump Junior, është alarmi më serioz i Washingtonit kundrejt Vetëvendosjes.
Të mërkurën mbrëma, ai e rishpërndau afishimin e pardoditshëm të dërguarit amerikan për misione të veçanta në botë, Richard Grenell, i cili tha shkoqur se kryeministri në ikje i Kosovës nuk është “aleat i besueshëm” për amerikanët.
Në javën e fundit të mandatit të saj të rregullt, arritja absurde e qeverisë Kurti është se ajo po i rreshton kundër vetes pothuajse njerëzit më të fortë të rrethit të Trumpit.
Kush është Trump juniori?
Donald Trump Jr., si djali më i madh i presidentit amerikan, është etabluar si figurë e rëndësishme në politikën amerikane, veçmas brenda Partisë Republikane dhe lëvizjes brendarepublikane të njohur si MAGA (Make America Great Again).
Sipërmarrësi 47-vjeçar, i njohur me llagëpin e tij si Don Jr., ka qenë tejet i gjallë kur bëhej punë për vendime strategjike.
Me kapitalin e tij politik, ai ka ndikuar që të emërohej senatori JD Vance për zëvendëspresident.
Trumpi riosh, duke qenë kryetar nderi i ekipit tranzicional të babait të tij, ka ndikuar për plot emra sa i përket administratës së re.
Në saje të mbështetjes së tij janë bërë emërime si ai i ish-përfaqësuesit demokrat Tulsi Gabbard për drejtor të Inteligjencës Kombëtare dhe Robert F. Kennedy Jr. për sekretar të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane.
Ai ka një audiencë jo të vogël përmes podcastit të tij ‘Triggered wth Don Jr.,’, me anë të të cilit tërheq mbështetje për agjendën ‘MAGA’, por edhe i bën për vete audiencat e reja konservative duke pasur rreth 13 milionë ndjekës.
X: Një platformë e re republikane
Platforma ‘X’ nuk është as për së afërmi ajo që dikur ishte Twitteri.
Që prej blerjes së tij prej miliarderit Elon Musk, kjo platformë është shfrytëzuar dendurisht për të zëruar qëndrime politike trumpiste.
Edhe në media që janë përbetueshëm demokrate pranohet se “republikanët janë tepër online”.
Musk e ka kthyer platformën në drejtim të tyre dhe ata ia kanë kthyer nderin kokërr për kokërr.
“X është për ta, dhe ata që të gjithë janë në X”, thuhej në një vështrim mbi të djathtën amerikane.
Kjo platformë, jokonvencionale si formë, i nënrenditet politikës së mandatit të dytë të Trumpit për ta shkëputur diplomacinë amerikane prej aleancave tradicionale dhe për t’iu afruar politikanëve e qeverive të djathta.
Platforma që qëndron pas presidencës së re
Edhe para se të bëhej pjesë e estabilishmentit të Shtëpisë së Bardhë, Musk i kishte dhënë një kthesë të ‘djathtë’ platformës, madje duke i shfuqizuar plot nga rregullat përjashtuese që dikur i kishte pasur Twitteri.
Fillimisht, ribrandimi i Twitterit në X
nuk doli fort me bereqet në terma financiarë: ndonjë vleresësim jep një pamje të zymtë kur kujtohet që prej tetorit të 2022-s, kur u ble në vlerë prej 44 miliardë dollarëve, kompania ka humbur rreth 80 për qind të vlerës së saj.
Besatimi Musk-Trump filloi tamam me vepra kur njeriu i dytë më i pasur në botë e ribrandoi Twitterin, duke e rikthyer llogarinë që më parë i ishte mbyllur Trumpit.
Në të vërtetë, pronari i SpaceX dhe Tesla, e mori në dorë fushatën në mbështetje të Trumpit duke kontribuar me së paku 260 milionë dollarë.
Ky ‘investim’ iu kthye mbarë në kuptimin që Muskit iu dha një rol i spikatur si udhëheqës i ‘Departamentit për Efiçiencë Qeveritare’.
Nga kjo kohë e tutje, siç shkruanin Kate Conger dhe Sheera Frenkel në New York Times, Musk ka kaluar i gjithi në platformën e tij ‘X’ për të promovuar administratën e re.
Diplomacia e re nukleare
Prania gjithnjë e më e shpeshtë në këtë platformë, sipas NYT, “po e pozicionon gjithnjë e më shumë X-in si platformë pas presidencës së re të Trumpit”.
Përdorimi i X-it nuk është as i ri dhe as i papritur për Trumpin. Sa për kujtesë, ai e kishte kthyer Twitterin në një hapësirë ditore në të cilën shigjetonte qëndrimet e kritikat ndaj kundërshtarëve.
Qysh në vitin 2020, autorët Heather Williams dhe Alexi Drew te studimi ‘Escalation by Tweet: Managing the New Nuclear Diplomacy’ kishin tërhequr vërejtjen për një mënyrë të re të vendimmarrjes në politikën amerikane.
Sipas tyre, përderisa “cicërimat nga zyrtarët qeveritarë mund të ndihmojnë në formësimin e narracionit publik amerikan dhe të mundësojnë vështrim më të madh në vendimmarrjen e Shteteve të Bashkuara”, ato, në të njëjtën kohë, mund të krijojnë pështjellim, t’i zhbëjnë komunikimet diplomatike dhe të përshkallëzojnë gjakrat në nivel global.
Ç’iu desh Albinit ta kthente Kosovën në grykën e kësaj diplomacie nukleare?