“Vetëmenaxhimi, më tepër se Asociacion”: Abdixhiku flet për LDK-në e gabimet e qeverisë Kurti
“Procesi i reformës ka qenë obligativ, por ka qenë kërkesë e anëtarësisë së LDK-së,”- u shpreh kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, teksa foli për rrugëtimin e tij në parti deri në ditët e tanishme si kryetar i saj.
I fituar te DPT Fidani, në T7, Abdixhiku në pjesën e dytë të emisionit ka folur për planet e LDK-së, në rast të ardhjes së partisë në pushtet.
Ai ka cekur disa nga problemet që i sheh aktualisht, duke specifikuar ikjen e të rinjve dhe ka dhëna këshilla për qeverinë në mënyrë që të lehtësohet jeta e qytetarëve.
“Ikja e të rinjve është e para, disbalanca në sistemin edukativ, kujdesi i shtetit ndaj njerëzve është inekzistent,”-ka thënë ai, duke shtuar se qeveria duhet “t’i lëshojë paratë në ekonomi, në projekte të mëdhaja, madje të marrë edhe borxhe".
Abdixhiku tutje ka folur për dialogun, duke thënë se kanë kërkuar nga qeveria që të merren pasi ishte një moment i ri me presidentin Biden.
“Pas luftës në Ukrainë, ne humbëm mundësinë sepse vepruam në mënyrë individuale për të rënë në grackë të Serbisë. Serbia donte konflikt të ri, donte tensione në veri, donte të nxirrte një situatë territorial dhe ne ramë në grackë se vepruam në mënyrë individuale,”- ka thënë Abdixhiku, duke përsëritur se dialogu është transformuar nga një “marrëveshjeje përfundimtare me njohje në qendër, në një proces për menaxhim të krizave.”
Më tej teksa ka folur për Vetëmenaxhimin, një pikë në Marrëveshjen e Ohrit, të rënë dakord me Serbinë, Abdixhiku ka thënë se Vetëmenaxhimi është shumë me tepër se Asociacion.
“Është ma tepër se Asociacion, Vetëmenaxhimi i referohet Kartës Evropiane për vetëqeverisje lokale. Brenda asaj karte i kuptoni edhe kompetencat,”- ka thënë Abdixhiku.

