Vetëvendosje i vë kapakun antikushtetutshmërisë: me karrige bosh, e shpall Kuvendin “të konstituar” - NACIONALE

Vetëvendosje i vë kapakun antikushtetutshmërisë: me karrige bosh, e shpall Kuvendin “të konstituar”

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Absurdit disa-mujor të Vetëvendosjes — të shkeljeve të paprecedenta të rregullave dhe parimeve kushtetuese — iu vu sot kulmi me përmbylljen e konstituimit të Kuvendit me karrige bosh në kryesinë e këtij institucioni, pasi deputetët e legjislaturës së nëntë dështuan të zgjedhin të gjithë nënkryetarët.

Ky akt, në leximin e juristëve, jo vetëm që bie ndesh me frymën e Kushtetutës, por e denigron në mënyrë poshtëruese institucionin e Kuvendit

“Konsideroj që moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin Kuvendin e Kosovës. Si të veprohet tutje me punën tonë, do t’i konsultoj anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të hënën”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe mbylli seancën.

Nenad Rashiq, i propozuar nga VV për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb—komunitet me ulëse të rezervuara, të cilit me Kushtetutë i garantohet kjo pozitë—nuk i mori votat.

Lista Serbe, që i ka të garantuara 9 nga 10 ulëset, e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Në anën tjetër, Vetëvendosjes arugmentoi se moszgjedhja e një nënkryetari “nuk mund të shndërrohet në pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit” dhe “puna vijon”.

Për Eugen Cakollin nga Instituti Demokratik i Kosovës, konstatime të tilla të kryeparlamentarit – pa asnjë vlerë juridike – vetëm sa e vulosin absurditetin e kësaj legjislature ndaj qytetarëve.

“Konstatimet (lexo: “shpikjet”) e fundit të Kryetarit nuk kanë asnjë vlerë juridike. I tërë ky non-sens politik tashmë mund të zgjidhet vetëm nga Gjykata – qoftë me konstatim të dështimit të konstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor, ose me shpallje të pavlefshme dhe përsëritje të procedurës së votimit për nënkryetarët e komuniteteve.

Ajo që ka rëndësi është të theksohet se sot, edhe një herë tjetër, u vulos fakti se deputetët e kësaj legjislature nuk i meritojnë ato pozita e funksione, e as qytetarët nuk e meritojnë një legjislaturë kaq absurde.” – shkroi ai.

Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, paralajmëroi se veprimet dhe interpretimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje po e shtyjnë Kosovën drejt një krize të thellë – një “Republikë e Tretë” që po merr formë përmes praktikave të qeverisë aktuale, të cilat, sipas tij, rrezikojnë stabilitetin e rendit kushtetues dhe vetë ekzistencën e shtetit.

“Republika Trete” eshte duke marrur forme, permes interpretimeve dhe veprimeve arbitrare te VV-se. Ne nje moment do ta godet murin me koke, me te cilin Kosova do te shnderrohet ne mural, si per nga rregullimi shteteror (nese do te ekziston) ashtu edhe per nga territori! Kjo cfare po shohim, nuk eshte popullizem, eshte pertej tij!” – shkroi ai.

Ndërsa për Vullnet Bugaqkun nga KDI, zhvillimet e sotme në institucionin më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës jo vetëm që “shkelin rregullat dhe parimet kushtetuese”, por “poshtërojnë institucionin”

“Ajo që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës nuk është vetëm shkelje e rregullave dhe parimeve kushtetuese, por edhe një veprim që e poshtëron institucionin e Kuvendit, duke e shndërruar atë në një “sërrnishtë”, ku secili mund të shkelë dhe të djegë sipas qejfit.

Me sjelljen e tij, kryetari i Kuvendit jo vetëm që po i keqinterpreton procedurat kushtetuese, por edhe po e trajton institucionin më të lartë përfaqësues të qytetarëve si një hapësirë të pavlerë, të përbuzur dhe të nëpërkëmbur.” – tha ai.

Sipas tij, procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet duhet të rikthehet në binarët e kushtetutshmërisë, duke u përsëritur procedurat e propozimit dhe të votimit në pako për dy kandidatët e komuniteteve, siç e përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.

“Procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet duhet të kthehet në binarët e kushtetutshmërisë, përmes përsëritjes së procedurave të propozimit dhe të votimit në pako për dy kandidatët e komuniteteve.” – shkroi ai.

Lajme të ngjashme