Veprimet në veri, Qeveria “gozhdohet” me kritikat nga ShBA-ja dhe aleatët: Veprimet e tilla nxisin tensione
Aksionet e djeshme të Policisë së Kosovës në veri kanë nxitur reagime të fuqishme të aleatëve të Kosovës. ShBA-ja, BE-ja, Franca, Gjermani dhe Britania e Madhe i kanë dënuar këto veprime, duke e kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për veprime të njëanshme.
Ambasadat e këtyre shteteve kanë vlerësuar se veprimet e djeshme janë provokuese dhe se ato rrezikojnë përshkallëzimin e situatës në veri.
Më i ashpri ka qenë reagimi i ambasadës amerikane në Prishtinë.
Në një deklaratë për media, ambasada është shprehur e zhgënjyer me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri.
“Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”, është thënë në deklaratë.
ShBA ka përsëritur se bashkë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdimësi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtarë dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.
“Dështimi i Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet këtyre kërkesave, reflekton një përkeqësim real dhe në rritje në partneritetin tonë. Ashtu siç kemi theksuar më parë, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në një rrezik më të madh, eskalojnë panevojshëm tensionet rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtarë.”, është thënë tutje në komunikatë.
Më tej, ShBA-ja e ka fajësuar Qeverinë për keqpërdorim të Policisë së Kosovës.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të "vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar". Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.”, është thënë në komunikatë.
Kësaj deklarate i ka dhënë mbështetej edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Përmes një shkrimi në rrjetin social “X”, ai ka thënë se “njoftimi nuk është konsultim”.
“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë. Ne duam t’i largojmë masat dhe të ecim përpara sa i përket integrimit rajonal dhe evropian të Kosovës. Mos të ketë më gjendje krize të panevojshme.” – ka shkruar ai.
Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka dënuar aksionin e djeshëm në veri.
“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë. Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit.”, është shprehur diplomati britanik.
Kurse, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka vlerësuar se veprimet e tilla nuk sjellin zgjidhje.
“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm dhe pjesëtarët e një komuniteti, në këtë rast pjesëtarët e komunitetit serb, nuk janë të mirëseardhura. Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme.”, vlerësuar ai.
As BE-ja nuk ka qëndruar e heshtur ndaj këtyre veprimeve.
Përmes një reagim zyra e BE-së në Prishtinë ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po i respekton këshillat e aleatëve.
“BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Bashkimi Evropian.
Çfarë aksioni u zhvillua në veri?
Gjatë ditës se djeshme, Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion ku ka bastisur disa objekte.
Policia ka treguar se gjatë këtij aksione ka mbyllur pesë objekte të komunave ilegale serbe.
“Operacioni policor i realizuar në veri të Kosovës, ka përfunduar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës, siç janë; Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit. Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Në njoftim policia ka dhënë edhe detaje tjera.
“Po ashtu Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishek me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë. I tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për tu veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente”, është thënë në komunikatë.
Në fund të njoftimin është thënë se policia mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit.
“Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatimi vendimeve të institucioneve dhe ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës”, ka vlerësuar Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës ka treguar se ky aksion ishte ndërmarr me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.