Vendimi i Supremes, Cakolli: Çdo vendim i Kurtit dhe ministrave deputetë nga 27 marsi antikushtetues
Saktësim përfundimtar se “nuk mund të mbajnë dy karrige”, e ka vlerësuar Eugen Cakolli nga KDI-ja, vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme për të shpallur të paligjshëm vendimin e Hekuran Muratit, që kundërligjshëm mban edhe postin e ministrit në detyrë edhe të deputetit.
Postimi i Cakollit:
Gjykata Supreme e qartësoi përfundimisht se (ish-)ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga KQZ.
Çdo vendim i marrë prej tyre pas 27 marsit është nul dhe bie ndesh me Kushtetutën, si dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Po ashtu, Gjykata konfirmoi se anëtarët e Qeverisë nuk mund të marrin vendime, sepse teknikisht Qeveria aktuale nuk ka më mandat për t’i miratuar ato.
Këtë e kemi thënë prej muajsh. Megjithatë, pushteti ka këmbëngulur të sillet sikur kjo situatë nuk ekziston. Kryeministri dhe ministrat e certifikuar si deputetë kanë vazhduar të marrin vendime – jokushtetuese, pa legjitimitet dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje parlamentare – duke e shndërruar shkeljen në praktikë.
Sot nuk ka më trillime juridike. Gjykata Supreme e vulosi atë që ka qenë e qartë që nga dita e parë. Nuk mund të ulesh në dy karrige dhe të sillesh sikur s’ka ndodhur asgjë. Çdo ditë e kaluar në këtë shkelje është dëm për institucionet dhe për qytetarët. Mbi të gjitha, është bazë për ndjekje penale.