Vendimi i Kushtetueses që e la Haxhiun pa fjalë: Shumë reagime, kërkohet shkarkimi i ministres - NACIONALE

Vendimi i Kushtetueses që e la Haxhiun pa fjalë: Shumë reagime, kërkohet shkarkimi i ministres

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Shkarkim - është kërkuar për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, pasi Gjykata Kushtetuese e ka shpallur anti-kushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin ishte kërkuar vlerësimi i kushtetueshmërisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Përderisa Nacionale nuk ka mundur të marrë një përgjigjje nga ministrja Haxhiu e as nga ministria e Drejtësisë nuk kanë dashur të komentojnë vendimin sonte, duke paralajmëruar një konferencë për media ditën e shtunë, LDK-ja e ka konsideruar vendimin si një “dështim të radhës për kapje të shtetit” dhe ka kërkuar shkarkimin ministres Haxhiu.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës,” - është thënë në reagimin e LDK-së.

Ndërkohë, nga Partia Demokratike ka reaguar kryetari Memli Krasniqi, i cili u shpreh se partia e tij ka dëshmuar edhe një herë se ju shërben interesave të qytetarëve duke mbrojtur rendin kushtetues, përkundër tentativave të Qeverisë Kurti.

“Partia Demokratike e Kosovës edhe njëherë dëshmoi se ju shërben interesave të qytetarëve e të shtetit tonë, duke mbrojtur rendin kushtetues përkundër tentativave të Qeverisë Kurti për ta shkelur atë. Edhe sot, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë, duke e shpallur si anti-kushtetuese përpjekjen e Kryeministrit Albin Kurti për ta vënë nën kontroll dhe për ta cënuar integritetin dhe profesionalizmin e Këshillit Prokurorial të Kosovës,”- ka thënë Krasniqi, duke shtuar se nuk do të lejohet kurrë shkelja e Kushtetutës nga pretendimet uzurpuese të pushtetit.

Lidhur me vendimin e Kushtetueses ka folur edhe avokati Armend Shkoza, i cili si fillim ka thënë se vetë ideja e shkrimit të një ligji të tillë nuk është në rregull.

Duhesh me qenë fort matrapaz për me shkru një ligj të tillë,”- është shprehur ai, teksa ka treguar se nuk ka qenë shumë i informuar rreth ligjit, megjithatë pas leximit të vendimit nga Gjykata Kushtetuese, ka dalë në përfundim se “vetëm një i palexuar në fushën juridike” mund ta shkruante një ligj të tillë.

Ai ka përfunduar duke thënë se: “Nuk përmbyset rendi kushtetues për teket dhe ëndërrat personale të një njeriu.”

Reagim ka pasur edhe nga ish-kryediplomati Petrit Selimi, i cili ka treguar se nuk është befasur nga vendimi i Kushtetueses dhe ka vlerësuar rolin e fortë e të pavarur që luan kjo Gjykatë në Kosovë, nëse krahasohet me Serbinë.

“E fundit nga mediat e Kosovës: Gjykata Kushtetuese sapo e shpalli jokushtetues ligjin e fundit për Këshillin Prokurorial. Jo i befasuar. Sistemi kushtetues i Ahtisaarit vendosi një ndarje të mprehtë midis shtresave të degëve legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive. Krahasuar me Serbinë ku Gjykata Kushtetuese është një degë e partisë në pushtet apo fqinjët e tjerë ku GJK as nuk funksionoi, GJK-ja e Kosovës luan një rol të fortë dhe të pavarur. Banorët e ulur dhe kryeministrat humbën rastet kryesore, duke përfshirë marrëveshjen e parë aktuale të Brukselit për Asociacionin,” - ka thënë Selimi në Twitter.

Kujtojmë se kërkesat për vlerësim të ligjit të KPK-së, kërkesat në Kushtetuese janë nisur nga Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abeard Tahiri dhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi.

Pas vendimit të Kushtetueses, i kontaktuar nga Nacionale Tahiri është shprehur i lumtur, duke e cilësuar vendimin si një “betejë të fituar”, pasi e kanë shpëtuar Zyrën e Prokurorit të Shtetit.

Ne i kemi dhënë të gjitha vërejtjet tona në katër çështjet të rëndësishme dhe jemi shumë të lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë pikërisht atyre pikave që ne i kemi atakuar dhe jemi të lumtur që kemi fitu një betejë shumë të rëndësishme që ka të bëjë me funksionin e Prokurorit të Shtetit dhe pavarësinë e tij. Kjo nuk është një betejë politike, kjo është një betejë për ta mbrojte Zyrën e Prokurorit të Shtetit për të mos lejuar me vendosë nën kthetrat e politikës apo nën kthetrat e pushtetit të Albin Kurtit.” – ka thënë Tahiri për Nacionale.

Ndërkohë, Arben Gashi e ka cilësuar vendimin si të pritshëm dhe të drejtë.

Është vendim i pritshëm dhe mendojmë që vendimi është i drejtë,” - ka thënë Gashi shkurtimisht për Nacionalen.

Lajme të ngjashme