Vendimi i KPM-së për lajmin e rremë, Kusari: Vendimi do të mbetet njollë e zeze në historinë editoriale të RTK-së
Juristja e mediave Flutura Kusari ka përshëndetur vendimin e sotëm të Komisionit të Pavarur të Mediave, i cili e ka pranuar si të arsyeshme ankesën e gazetës Nacionale kundër RTK-së në lidhje me lajmin e rremë.
Ajo ka bërë me dije se ky vendim do të mbetet njollë e zeze në historinë editoriale të RTK-së.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se KPM-ja ka gjetur që RTK e ka mashtruar opinionin publik duke publikuar informacion të pasaktë dhe të pavërtetë kundër Nacionales.
“Propaganda e dobët e VV-së kundër mediave përmes veglës së tij RTK-së, propagandë kjo lehtësisht e zbulueshme, mori dënimet e merituara. Vendimi i KPM-së kundër RTK-së është njollë e zeze në historinë editoriale të transmetuesit publik, njollë për të cilën duhet të turpërohen të gjitha ata që kanë dorë në të, emrat e të cilëve i di publiku. Sot Komisioni i Pavarur për Media ka gjetur që RTK e ka mashtruar opinionin publik duke publikuar informacion të pasaktë dhe të pavërtetë kundër Nacionales. Pra, në gjuhë më të thjeshtë - raportimi i RTK-së se Serbia dhe Vucici kanë blerë dhe/apo kontrollojnë mediat Nacionale dhe Periskopi janë të pavërteta, të pasakta dhe mashtrim i publikut”, ka shkruar Kusari.
Ajo ka bërë me dije se RTK-ja po kontrollohet nga partia në pushtet.
“Paraprakisht, edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës kishte gjetur që RTK-ja ka raportuar të pavërteta, ka nxitur urrejtje dhe nuk i ka kontaktuar fare Nacionalen dhe Periskopin. RTK-ja kontrollohet, udhëhiqet dhe qeveriset në baza ditore nga Lëvizja Vetëvendosje. Më vjen shumë mirë që ne shoqnia civile dhe mediat e kemi dokumentuar kapjen politike të RTK-së dhe kjo po mbështetet me vendime të njëpasnjëshme nga institucionet përgjegjëse. Edhe pse bordi dhe menaxhmenti i RTK-së janë në shërbim të politikës, në RTK ka gazetarë dhe punëtorë që në asnjë moment nuk iu kanë nënshtru politikës dhe vazhdojnë të bëjnë punë të shkëlqyer brenda hapësirës që kanë. Në veçanti, kam respekt për ata burra dhe gra që u larguan nga postet e tyre dhe nuk lejuan që të shkelin parimet e tyre për t'i ndihmuar pushtetit”, ka shkruar ajo, duke sqaruar disa terma të përdorur.
“Sqarim: Fjalitë "kapja politike e RTK-së" dhe "RTK si vegël e pushtetit" vlejnë për bordin dhe menaxhmentin dhe individë të caktuar, emrat e të cilëve i di tashmë e krejt Kosova dhe jo për gazetarët dhe profesionistët e transmetusit tonë publik”, ka vlerësuar Kusari.