Vela "shkarkohet" nga X (ish-Twitter): Reagime të shumta pasi kërkoi testin e ADN-së për Vuçiq e Musliun - NACIONALE

Vela "shkarkohet" nga X (ish-Twitter): Reagime të shumta pasi kërkoi testin e ADN-së për Vuçiq e Musliun

2 vjet më parë

nga NACIONALE

“Kjo llogari nuk ekziston” – del kur kërkon emrin e Blerim Velës në rrjetin social Twitter. Shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani duket se ka fshirë llogarinë e tij pas postimit skandaloz që e bëri këtë të shtunë. Derisa po kërkohet shkarkimi i tij, ai veç se është “shkarkuar” nga rrjeti që e përdor shumë.

Ditën e sotme, Vela vendosi që ta shfrytëzojë për një shkrim ku kërkonte test ADN-je që të vërtetohej nëse gazetari kosovar, Fahri Musliu është babai i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Aco, është e kotë pa poligraf dhe analiza të ADN-së. Ti dhe Fahriu bashkë.” – shkroi ai.

Nuk shkoi shumë, nisën edhe reagimet. Ndërsa siç raportoi Nacionale, Vela duket se ka fshirë llogarinë e tij.

Shkarkim?

Ishte analisti Halil Matoshi që kërkoi nga presidentja Osmani që ta shkarkojë Velën pas një deklarate të tillë.

“Me pasë Kosova Presidente normale, për 15 minuta âsht dashtë me e shkarku Blerim Velën, por shteti po identifikohet me vulgus-in dhe vulgaren si diskurs.” – ka shkruar Matoshi.

Ai ka thënë se nëse atij i lejohet një gjë e tillë, atëherë lejohet edhe konstatimi që “Vela është një fundërrinë”.

Analisti Imer Mushkolaj e ka vlerësuar si i të ulët talljen e Velës me ish-korrespodentin e RTK-së në Beograd.

“Veç shihni çfarë poshtërsinash flet shefi i stafit të presidentes. Presidentja duhet me reagu.” – ka shkruar ai.

Shkëlzen Gashi në anën tjetër, ka pyetur nëse shefi i stafit të presidentes “është normal”, duke vijuar: “Presidentja duhet t'i kërkoj falje gazetarit fahri musliu dhe familjes së tij”.

Vetë gazetari Musliu ndërkaq, i ka quajtur thashethemet se është babai i Vuçiqit si “të mjera”.

“Njerëzit që merren me jetën e tjerëve, me thashetheme, trillime e shpifje – dëshmojnë se nuk kanë jetë të vetën, edukatë, kulturë e as identitet personal.” – ka shkruar ai.

Vela ndërkohë, njihet për sulmet e tij të vazhdueshme ndaj mediave në Kosovë, gjë për të cilën është kritikuar tepër shpesh.

Në vitin 2021, shefi i stafit të presidentes Osmani kishte bërë një reagim skandaloz ndaj raportimeve të mediave, në lidhje me një ftesë që ajo ua kishte bërë partive politike për konsultime.

“Per mediet e ish-regjimit Pronto: ftesa e Presidentes drejtuar partive per takim konsultativ s'paraqet vendim per shtyerje te zgjedhjeve. Andaj, mos perhapni te paverteta!” – kishte thënë ai në Twitter, në një shkrim që kishte marrë shumë reagime.

Këtë vit, ai i akuzoi mediat për “tentim puç”, në lidhje me një vendim të Kushtetueses që raportohej se mund ta rrezikojë karrigën e presidentes Vjosa Osmani.

“Pra, kjo është përpjekje për ndikim të vendim-marrjes gjyqësore dhe tentim-puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë.” – kishte thënë ai mes tjerash.

Madje, ai pretendonte se e di edhe burimin ku thirreshin mediat duke shkruar si vijon: “E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propanda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi...”

Lajme të ngjashme