"Tentim-puç": Pse gjuha e shefit të stafit të Presidentes është e rrezikshme për demokracinë?
Gjatë ditës së djeshme u raportua se presidentes Vjosa Osmani po i rrezikohej “karriga”. Njohës të fushës e kanë demantuar këtë pretendim. Por, Blerim Vela – shef i Stafit të Presidentes – pretendon se e gjithë kjo e ka origjinën në Serbi. Pse kjo gjuhë është e rrezikshme?
Përsëri në pyetje është dialogu. Më specifikisht, marrëveshja e Bukselit/Ohrit për të cilën presidentja ka shprehur bindjen që Serbia nuk do ta zbatojë duke mos e komentuar siç pritej edhe përmbajtjen e saj.
Por, duket se këtyre qëndrimeve të pashprehura të presidentes Osmani po u jep zë shefi i stafit të saj, z. Blerim Vela.
Ai raportimin në fjalë e ka quajtur “synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës për të krijuar huti në publik”.
Sipas nënkuptimit në fjalë, Kushtetuesja i nënshtrohet ‘presionit’ medial për çështjen, megjithëse ai më vonë e thotë se “GjK është institucion i pavarur...”. Dhe megjithëse, më vonë i bën presion në mënyrë të qartë po vet Kushtetueses duke e lidhur me “një skenar të Serbisë”.
Qysh?
“E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propanda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi...”
Ai vijon tutje duke thënë: “Çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes) është vetëm skenar i vet Serbisë.”
Sipas kësaj fjalie, çfarëdo vendimi nga Gjykata Kushtetuese që do ta shpallte mandatin e znj. Osmani të pavlefshëm atëherë do të ishte “skenar i vet Serbisë”. Përveç kësaj, pse presidentja e vendit është aq e rëndësishme në procesin e dialogut kur veçse dihet që këtë punë e kryen – edhe në bazë të Kushtetutës – kryeministri i Kosovës.
Tentim-puç
Vela shkon edhe më larg duke e cilësuar raportimin në fjalë si “tentim-puç”.
“Pra, kjo është përpjekje për ndikim të vendim-marrjes gjyqësore dhe tentim-puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë.” – përfundon Vela.
Pse kjo gjuhë është e rrezikshme?
Marrëveshja e Brukselit/Ohrit e bën kësisoji – sipas kësaj gjuhe të Velës – të rrezikshme që të flitet çkado për të. E madje, e ‘kriminalizon’ dhe dekurajon edhe kritikën legjitime ndaj presidentes apo edhe krerëve tjerë institucionalë. Nënkupton të thuash "nuk ka vend raportimi/kritika në këtë kohë".
Në anën tjetër, ta quash "tentim-puç" një raportim medial nënkupton edhe ta quash "puç" më pas një vendim të mundshëm nga Gjykata Kushtetuese.
Vlen të theksojmë që znj. Osmani ka qenë përgjithësisht e heshtur në komentimin e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit gjatë gjithë kësaj kohe.
Vela në anën tjetër nuk ka treguar se për çfarë arsyesh presidentja e vendit është aq e rëndësishme për procesin e dialogut që udhëhiqet në nivel politik nga kryeministri Albin Kurti dhe në nivel teknik nga zv. kryeministri Besnik Bislimi.
Në lidhje me këto fjalë skandaloze të z. Vela ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke i cilësuar si "të rrezikshme dhe të papranueshme".
Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore.
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) March 30, 2023
1/4

