Kush është Blerim Vela, shefi i stafit të Vjosa Osmanit që po e rrezikon dëmtimin e saj?
Presidentja Osmani prej javës tjetër futet në vitin e tretë të mandatit të saj. Nëse e keni pyetur veten se qysh u zhduk kaq kollaj në hijen e një njeriu të vetëm një grua e votuar nga 400 mijë njerëz, një pjesë të përgjigjes do ta gjeni te një njeri tjetër i vetëm: Blerim Vela. Kush është ky person?
Vela tash e dy vite ushtron detyrën e shefit të stafit të Presidentes Vjosa Osmani. Ai u denoncua sot për “gjuhën skandaloze” të përdorur në disa cicërime në Twitter nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke i hedhur edhe më shumë njollë institucionit të Presidencës.
Dhe kjo gjuhë skandaloze e tij – që kësaj here përdori edhe fjalën “tentim puç” për ta përshkruar një raportim të një mediumi tjetër – nuk ishte e para e me gjasë nuk do të jetë as e fundit. Ai ngriti aty disa pretendime mjaft të rrezikshme për demokracinë, duke e lidhur raportimin me Serbinë në mënyrë direkte.
Fatkeqësisht, ai nuk ofroi asnjë provë për pretendimet e tij.
Blerim ‘Bela’
Nëse Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, shihej gjerësisht si ‘rreziku’ më i madh për besueshmërinë dhe kredibilitetin e Presidentes Osmani kjo bëhej ndoshta sepse nuk kuptohej mirë kush ishte shef i stafit të saj.
Prindon Sadriu i quante mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale” mes tjerash, por prej kësaj fyerjeje ai fatmirësisht është heshtur gati tërësisht dhe nuk merr pjesë në jetën publike.
Por, Vela ka vazhduar. Juristja e mediave Flutura Kusari qysh në muajt e parë konsideronte që Vela po bënte “luftë personale speciale kundër mediave” dhe se përmes këtij veprimi po e dëmtonte “në mënyrë të pariparueshme” presidenten Osmani.
Fatkeqësisht, ky dëm vazhdoi e vazhdoi e vazhdoi të ndodhte. Vela ishte kritikuar se jo vetëm mediat, por ai po bllokonte edhe qytetarët e vendit “në momentin që kritikohej”.
Arroganca
Arroganca e z. Vela në komunikimin publik është e vërejtshme. Në verën e vitit të kaluar, ai ishte bërë viral pasi i doli një video ku refuzon të hapë vet derën e veturës dhe del vetëm kur një pjesëtar i sigurimit ia hapë atë.
Por, kjo arrogancë megjithatë ka një farë mbështetjeje. Në deklarimin e pasurisë në AKK, ai ka treguar se e nget një veturë që i kushton 38 mijë euro të blerë me kursime personale. Ndërkaq, ka treguar edhe se në bankat vendore i ka 282 mijë e 322 euro në emër të tij dhe rreth 28 mijë e 300 në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve.
Përtej ‘belave’?
Është e vështirë të imagjinohet Blerim Vela përtej belave të shkaktuara me të cilat e dëmtoi presidenten Vjosa Osmani por edhe demokracinë e Kosovës. Megjithatë, ta provojmë!
Në uebfaqen e Presidencës shkruhet se z. Vela ka përvojë profesionale 20-vjeçare në fushën e qeverisjes demokratike, parlamentarizmit dhe politikës së jashtme. Aty thuhet se ai ka punuar me organizata si OSBE, UNDP dhe Këshilli i Evropës.
Aty thuhet edhe se shefi i stafit të presidentes është duke kryer studimet e doktoraturës në Universitetin e Suseksit në Mbretërinë e Bashkuar.
Kur u emërua?
Natyrisht, është e vështirë ta kuptojmë dinamikën e punëve brenda Presidencës. Por, është e kuptueshme se roli i z. Vela si shef i stafit të Presidentes e bën atë personin më të rëndësishëm në kabinet pas znj. Osmani.
Për rrjedhojë, atij mund t’i atribuohen edhe dështimet e mëdha të znj. Osmani për t’u përfshirë më aktivisht në çështjet e rëndësishme siç është edhe dialogu i Kosovës me Serbinë që papritmas befasisht degradoi në marrëveshjen e Brukselit/Ohrit ku nuk përmendet njohja reciproke.
Presidentja e vendit nuk ka pasur një qëndrim mirë të artikuluar për atë që ndodhi në Bruksel e në Ohër më 27 shkurt e 18 mars, ashtu siç nuk kanë pasur deri më tash as bashkëpunëtorët e saj në Listën Guxo.
Ajo është kritikuar vazhdimisht edhe për mungesën e guximit për të pasur qëndrim neutral karshi kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes përgjatë mandatit të saj – dhe pjesërisht, për një gjë të tillë mund të fajësohet edhe Vela.

