AGK-ja i reagon shefit të stafit të presidentes Osmani: Gjuha e tij është e rrezikshme dhe e papranueshme - NACIONALE

AGK-ja i reagon shefit të stafit të presidentes Osmani: Gjuha e tij është e rrezikshme dhe e papranueshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në disa postime të publikuara më herët, Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, sulmonte ashpër mediat në Kosovë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka quajtur të rrezikshme dhe të papranueshme gjuhën e përdorur nga ai.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, AGK-ja vlerëson se Vela, jo për herë të parë, ka sulmuar mediat e Kosovës.

“Jo për herë të parë, Blerim Vela - Shef i Stafit të Presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani, ka sulmuar mediet e Kosovës, pas raportimeve për një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për deputetë të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, që si zinxhir mund të vë në pikëpyetje zgjedhjen e Presidentes.” – thuhet në reagimin e tyre.

Po ashtu, përmendet edhe pjesa ku Vela cilëson se raportimet e mediave në Kosovë “janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së”.

Tutje, në reagimin e tyre thuhet si vijon: “Kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme që rëndon ambientin e punës së gazetarëve në Kosovë. Për më tepër është vazhdimësi e sulmeve të zotit Vela ndaj medieve”.

AGK-ja ka përmendur edhe se presidentja Osmani po merr pjesë në Samitin e Demokracisë, duke bërë thirjre që “të ndalojnë sulmet ndaj mediave nga kabineti i saj, që shërbejnë si presion direct për punën e tyre”.

Lajme të ngjashme