"Vazhdojnë të demantohen": Si tentoi Bislimi të na 'hedhë' me 2 milionë euro përfitim nga BE-ja - NACIONALE

"Vazhdojnë të demantohen": Si tentoi Bislimi të na 'hedhë' me 2 milionë euro përfitim nga BE-ja

8 muaj më parë

nga Flakon Demaku

“Të gjithë ata që shkruanin e flisnin për humbje të parikuperueshme e kinse humbje të miliona eurove nga fonde të Bashkimit Evropian për shkak të masave vazhdojnë e demantohen.”

Kjo deklaratë, që mund t'ju ketë shpëtuar vëmendjes dje, gjendet në përmbyllje të postimit të Zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ku kumtoi se Kosova do të përfitojë mbi 2 milionë euro, pasi Bashkimi Evropian ka miratuar aplikimet e vendit tonë në programin e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

“Aprovohen aplikimet e Kosovës në programin e BE-së të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (ËBIF), vendi përfiton mbi 2 milionë euro.

Përkundër faktit që vendi ynë ishte nën masa të padrejta të BE-së, vitin e kaluar aplikuam në thirrjet e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) me katër projekte në fushat e energjisë dhe digjitalizimit.” – tha Bislimi

Me shpërndarjen e këtij lajmi pozitiv për Kosovën, në perceptimin e zotit Bislimi u ‘kompensuan’ fonde në vlerë qindra miliona euro të pezulluara nga BE-ja, si sanksion ndaj shpërfilljes së deklaratës së 3 qershorit, e cila ngarkonte qeverinë me detyrën për të parandaluar deeskalimin e mëtejshëm në veri të vendit.

Bëhet fjalë për mesin e vitit 2023, periudhë në të cilën institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëronin për “pasoja të mëdha në afatgjatë nëse ato [masat] qëndrojnë”.

“Masat pritet të kenë një ndikim të kufizuar në 12-18 muajt e ardhshëm, pasi ato nuk zbatohen për projektet ose iniciativat tashmë në zhvillim, por ato mund të kenë një ndikim të rëndësishëm afatgjatë nëse qëndrojnë.” – thuhet në raport.

Që nga ajo periudhë, Kosova ka humbur qindra miliona euro nga fondet e pezulluara. Sipas një vlerësimi të Institutit GAP, pezullimi i ndihmës financiare ndërkombëtare ka sjellë një humbje prej 613 milionë eurosh nga IPA dhe WBIF, për periudhën nga qershori i vitit 2023 deri në maj të vitit 2025.

Për më tepër, Bislimi ishte autor edhe i një deklarate mjaft kontraverse dy muaj më parë mbi Planin e Rritjes së BE-së – një mundësi me potencial transformues për ekonominë e Kosovës në dakadën e ardhme – duke thënë se edge në rast të mospranimit të mjeteve financiare nga ky plan, “në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen.”

“Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen.”

Nga plani i BE-së, që synon të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkë evropian dhe të nxisë zhvillimin përmes investimeve strategjike, Kosova do të përfitonte rreth 950 milionë euro – një shumë që për vendin më të varfër në Evropë përbën një infuzion financiar të jashtëzakonshëm.

Lajme të ngjashme