Varhelyi si Lajçak: Propozimi i Ekipit Menaxhues, pikënisje në diskutimet për Asociacionin
Komisionari Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, ka mbeshtetur deklaratat e të Përfaqësuesit të posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak, në lidhje me propozimin e Ekipit Menaxhues për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Varhelyi ka thënë se draft-statusi i propozuar nga Ekipit Menaxhues, duhet të jetë pikënisje në negociatat për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Duhet të zbatohen të gjitha obligimet nga dialogu, pa vonesa dhe pa kushte, përfshirë edhe atë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe. Siç ka nënvizuar Përfaqësuesi i posaçëm për dialog [Mirosllav Lajçak] draft-propozimi i prezantuar në takimin e fundit nga Ekipi Menaxhues, është pikënisje për diskutimet e mëtejme për themelimin e Asociacionit“ tha ai, transmeton Radio Evropa e Lire.
Deklaratat e z. Lajçakut kishin shkaktuar shumë reagime në Kosovë, duke mobilizuar aktivistë të VV-së e zyrtarë të pushtetit. E gjithë kjo nisi nga ana e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Konjufca, në një konferencë për media, tha se ky draft-statut është anti-kushtetues dhe se është bërë me urdhër të Serbisë dhe presidentit të saj për krijimin e një republike serbe brenda Kosovës.
“Statuti që ata e prezantuan ishte sipas urdhrit të Serbisë dhe presidentit Vuçiq. Ishte statut me një përpjekje për me kriju republikë serbe brenda Kosovës dhe kjo është anti -kushtuese. Dhe unë mendoj që kurrfarë pozicioni anti-kushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës”, tha Konjufca.
“Nëse BE nuk mendon se zgjidhja duhet kërkuar brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj se Kosova nuk ka çfarë kërkon në atë dialog më”, tha Konjufca.
Ndërsa, Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje u tregua i ashpër ndaj emisarit evropian.
“Teoria e Lajcakut shumë e thjeshtë, ai po do një qëndrim kushtetues dhe një jokushtetues të arrijnë mes, thuajse kushtetutshmëria është mes aritmetik. Apo edhe më tutje, një përfaqësues që do zgjidhje mes kartës së Këshillit të Evropës dhe Republika Srpskas në Bosnjë, një kompromis mes vlerave të BE-së dhe Dodikut të Putinit e Vuciqit. Pra, vlerat evropiane vs vlerat proruse”, ka shkruar Muja në Facebook.
Tutje, edhe ai ka kërkuar që propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të jëtë në përputhje me Kushtetuten e Kosovës.
“Për Republikën e Kosovës gjërat janë të qarta, ne jemi me vlerat evropiane dhe rregullat janë përbrenda Kushtetutës së Kosovës. Të drejtat nuk janë mes artimetik mes të mirës dhe të keqes”, ka shkruar ai.

