Vajza e Shemsi Sylës dhe ish-zëvendësministri i VV-së, mes përfituesve të bursave nga Ministria e Arbërie Nagvacit - NACIONALE

Vajza e Shemsi Sylës dhe ish-zëvendësministri i VV-së, mes përfituesve të bursave nga Ministria e Arbërie Nagvacit

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Raportimi: Besarta Hoti

Me një postim plot krenari në Facebook, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, njoftoi shpalljen e përfituesve të bursave për studime jashtë vendit.

“Zemra plot për vajzat dhe djemtë tanë që studiojnë në universitetet më të mira në botë, për mbështetjen e madhe dhe të merituar që u kemi dhënë”, shkroi ajo, duke ndarë lajmin e mirë për 152 persona që do të marrin mbështetje financiare nga MAShTI

• 24 studentë të nivelit Bachelor në 100 universitetet më të mira sipas Times Higher Education 2025 – nga 5.000 € secili

• 69 studentë Master – nga 7.000 €

• 53 doktorantë në 500 universitetet më të mira sipas Shanghai Ranking – nga 8.500 €

• 6 studiues postdoktoraturë – nga 10.000 €

Gazeta Nacionale ka mësuar së në listën e përfItuesve që do të marrin mbështetje financiare nga MASHT, figurojnë edhe emrat e familjarëve të zyrtarëve qeveritar dhe njerëzve që janë të afërt me pushtetin e VV-së.

E para është Hana Syla, vajza e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Shemsi Syla. Hana, e cila studion për Master në ETH Zürich (i 11-ti në botë sipas THE 2025), figuron e 46-ta në listën e përfituesve dhe do të marrë 7.000 euro.

Për këtë kategori kanë aplikuar gjithsej 143 kandidatë, ku 69 ishin pranuar, e në mesin e tyre edhe Hana syla.

Kur “Nacionale” e pyeti nëse babai i saj, ka ndikuar në vendim, ajo u përgjigj shkurt:

“Kriter për ta përfituar bursën në fjalë është ndjekja e studimeve në një universitet që radhitet në listën e 200 universiteteve më të mira në botë.. Unë jam në të 11-in. Pra, më ka takuar bursa sepse jam pjesë e një universiteti të tillë.”, tha ajo.

Emri i dytë që bie në sy është Yll Rugova, I cili ka qenë ish-zëvendësminister i Kulturës në qeverinë Kurti 1 dhe ish-drejtor i Kulturës në Prishtinë gjatë kohës së Shpend Ahmetit.

Yll Rugova është i 9-ti në listën e bursave për doktoraturë dhe do të marrë 8.500 euro.

Në këtë skemë kanë aplikuar gjithsej 188 kandidatë. Nga ta, 53 kandidatë janë përkrahur financiarisht e në mesin e tyre edhe Yll Rugova.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ai nuk është përgjigjur në pyetjet e “Nacionales”.

Ndërkaq në anën tjetër Ministria Arsimit përmes një përgjigjeje i tha Nacionales se

“Vendimmarrja bëhet në bazë të transparencës, paanshmërisë dhe objektivitetit, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë aplikuesit.”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Lajme të ngjashme