Ushtria izraelite vret tre militantë palestinezë në Bregun Perëndimor
Të paktën tre militantë palestinezë u vranë të enjten gjatë të shtënave me trupat izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Forcat izraelite të sigurisë thanë se ato bastisën fshatin Jaba, i cili shtrihet në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, për të arrestuar persona të dyshuar për sulmet ndaj ushtarëve izraelitë në atë zonë. Policia izraelite tha se të dyshuarit hapën zjarr në drejtim të ushtarëve izraelitë, të cilët u kundërpërgjigjën në të njëjtën mënyrë dhe vranë tre persona të lidhur me grupin militant “Xhihadi Islamik”.
Ministria palestineze e Shëndetësisë i identifikoi tre burrat e vrarë si Sufyan Fakhoury, 26 vjeç, Nauef Malaisha, 25 vjeç, dhe Ahmed Fashafsha, 22 vjeç, dhe tha se ata u qëlluan me armë gjatë operacionit ushtarak. Në njoftim thuhet se një person tjetër ndodhet në spital në gjendje stabile, pasi është plagosur në kokë.
Policia izraelite publikoi një fotografi të pushkëve, pistoletave, municionit e gjërave të tjera për të cilat tha se trupat i konfiskuan në Jaba. Grupi militant tha se burrat i kishin qëlluar forcat izraelite nga vetura e tyre, raporton agjencia "Associated Press".
Rrugët e fshatit u mbushën me të rinj palestinezë të veshur me rroba të zeza, të cilët brohorisnin kundër pushtimit izraelit e qëllonin me armë në ajër përderisa i mbanin në krahë trupat e të vrarëve.
Këtë vit ka pasur eskalim të dhunës në Bregun perëndimor, pasi bastisjet e ushtrisë izraelite po shndërrohen në luftime me palestinezë të armatosur.
Më herët këtë javë, të paktën gjashtë palestinezë u vranë gjatë një bastisjeje të forcave izraelite në kampin e refugjatëve në Jenin.
