'Urgjent, të mos përdoret ky produkt' Zemaj 'alarmon', publikon bisedën e punëtorëve shëndetësorë
Deputeti i zgjedhur, Armend Zemaj, ka ngritur alarmin lidhur me një produkt që përdoret në shërbimin publik shëndetësor.
Zemaj ka bashkëngjitur në postimin e tij një fotografi të një komunikimi mes punëtorëve shëndetësorë, ku kërkohet urgjentisht që produkti në fjalë të mos përdoret.
"Të nderuar kolegë, Nëse keni produktin Riger 500 ml me numër serie 1252149 dhe afat skadence 04/2028, duhet ta ndaloni distribuimin e tij dhe t’i njoftoni repartet për mos përdorimin e këtij produkti. Urgjente", thuhet në një shkëmbim mesazhesh mes punëtorëve shëndetësorë, të publikuar nga Zemaj.
Ky është postimi i plotë i Zemajt:
Prej kohësh kemi ngritur shqetësimet se korrupsioni dhe interesat e grupeve të caktuara farmaceutike kanë ushtruar ndikim të madh në Ministrinë e Shëndetësisë, të udhëhequr nga Arben Vitia, e deri te Komiteti Ekzekutiv i Albin Kurtit. Sipas gjendjes aktuale, degradimi dhe keqmenaxhimi në QKUK dhe në spitalet rajonale kanë arritur nivele shqetësuese.
Pacientët jo vetëm që përballen me mungesë të barnave për shkak të menaxhimit të dobët, shpërdorimeve ose vjedhjeve të mundshme, por ekzistojnë edhe shqetësime serioze lidhur me cilësinë dhe origjinën e disa barnave që futen në sistemin publik shëndetësor. Këto çështje kërkojnë hetim të plotë, dhe të pavarur nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të garantohet siguria e pacientëve dhe integriteti i sistemit shëndetësor.
Mos të flasim edhe për tenderët njëburimorë dhe çmimet e stërfryera në këto kohë, kur nuk ka mbikëqyrje parlamentare. Kjo qasje s’ka arsyetim, do hetim dhe përgjegjësi.