Ulqini nesër në zgjedhje, garojnë këto subjekte politike
Nesër, të dielën, mbahen zgjedhjet lokale në Komunën e Ulqinit , që njëherësh është edhe komuna më e madhe me shumicë shqiptare në Mal të Zi.
Fushata elektorale për zgjedhjet e marsit është karakterizuar me debate politike e shpalosje plan-programesh.
Partitë politike që synojnë të udhëheqin me qytetin gjatë mandatit të ardhshëm, janë bërë bashkë. Bashkë, në këtë rast, nënkupton pjesërisht.
Kush është në garë?
Në garën për të parin e Komunës së Ulqinit janë pësë lista zgjedhore, ku parti shqiptare dhe të tjera kanë lidhur koalicione parazgjedhore ose garojnë të vetme.
Njëri prej koalicioneve të kësaj gare përbëhet nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LDnëMZ), dy parti të vjetra shqiptare në skenën politike në Mal të Zi. Kryetari i LD-së është Saubih Mehmeti kurse kryetar i UDSH-së , njëherësh bartës i listës, Mehmet Zenka.
Koalicioni më i gjërë është formuar nga pesë parti, të cilat kanë arritur një marrëveshje. Aksioni i Bashkuar Reformist (ABR-URA), Socialdemokratët e Malit të Zi (SD), Partia Socialdemokrate (PSD), Alternativa Shqiptare (ASH) dhe Partia Demokratike (PD), janë partitë të cilat në këto zgjedhje dalin si listë e përbashkët. Në këtë listë dy nga partitë janë shqiptare: ASH, e udhëhequr nga Nik Gjeloshaj dhe PD, kryetar i së cilës është Fatmir Gjekaj. Tre partitë tjera si dhe kryetarët e tyre janë si vijon: ABR-URA-Dritan Abazoviq, SD-Damir Shehoviq dhe PSD-Rashko Konjeviq. Bartësi i kësaj liste është nga radhët e partisë ABR-URA, Omer Bajraktari.
Forca e Re Demokratike garon e vetme në këto zgjedhje dhe prijës liste është Genc Nimanbegu.
Partia Demokratike e Socialistëve (PDS), kryetar i së cilës është Millo Gjukanoviq, dhe Partia Boshnjake (PB) garojnë bashkë, me bartës liste Haki Mavriqin.
‘Demokratët’ përbëjnë listën e pestë që garoi në këto zgjedhje, bartëse liste është Vera Margjonoviq.
Sa i ndikoi pozita Abazoviqit në zgjedhjet lokale?
Dritan Abazoviq ka qenë ndër emrat më të përfolur në skenën politike në Mal të Zi gjatë kohëve të fundit. Kjo për arsye se i njejti është mandatar për kryeministër të Malit të Zi.
Duket se kjo ka ndikuar edhe në formimin e listave për zgjedhjet që do të mbahen nesër në Ulqin.
Partia në të cilën Abazoviq është kryetar, Aksioni i Bashkuar Reformist (ABR-URA), deri më tani në Ulqin ka pasur një prezencë thuajse të padukshme.
Në këto zgjedhje, katër parti, ndër to edhe Partia Demokratike e Fatmir Gjekës, e cila në nivel lokal ka gëzuar përkrahje më të madhe se ABR-URA, janë pajtuar që bartësi i listës të vijë nga rradhët e ABR-URA.
Në Ulqin, ka gjithsej 38 vendvotime dhe të drejtë vote në këtë komunë kanë 20,392 qytetarë.
Deri më tani, kjo komunë është udhëhequr nga një koalicion i gjerë, ku shumë parti shqiptare kanë qenë pjesë dhe kryetari i Komunës, Aleksander Daboviq vinte nga rradhët e Partisë Demokratike të Socialistëve. /Nacionale/