Ulja e pagave: Osmani ende e heshtur për vendimin e Qeverisë Kurti, Avokati i Popullit nis hetimet - NACIONALE

Ulja e pagave: Osmani ende e heshtur për vendimin e Qeverisë Kurti, Avokati i Popullit nis hetimet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Avokati i Popullit ka nisur hetimet për vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbledhjen e së mërkurës. Ndonëse deri më tani ka pasur shumë reagime se një vendim i tillë është i kundërligjshëm, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila obligohet që ta ruajë kushtetueshmërinë, nuk ka pasur ndonjë deklarim rreth kësaj çështje.

Gazeta Nacionale ka mësuar se sipas detyrës zyrtare, Avokati i Popullit ka nisur hetimet për vendimin e shumëpërfolur këto ditë të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, atë për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Ky institucion, do të analizojë vendimin e Qeverisë, që nga shumë njohës të çështjes, u konsiderua si i jashtëligjshëm.

Presidentja ende e heshtur

Pavarësisht reagimeve, Vjosa Osmani, e cila garanton funksionim kushtetutes të institucioneve, ka qenë e heshtur deri më tani në lidhje me uljen e pagave.

Gazeta Nacionale është interesuar në Presidencën e Kosovës në lidhje me këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk kemi marrë përgjigje.

Neni 84 i Kushtetutës së Kosovës shpjegon qartë kompetencat e presidentit të vendit, në këtë rast, Vjosa Osmanit.

Pika 2 thotë se: Presidenti i Republikës së Kosovës garanton funksionim kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë.

Ndërkaq, sipas pikës 9 të këtij neni “Presidenti i Republikës së Kosovës mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese”.

Shumë reagime

Betim Musliu nga IKD-ja e ka vlerësuar këtë vendim si skandaloz.

“Vendimi i fundit i Qeverisë Kurti është vendim skandaloz që e shkatërron sistemin e drejtësisë - edhe ashtu të lodhtë, është vendim që e shkatërron sigurinë juridike, është vendim që perfundimisht e legalizon korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Eh tash kreditë e një pjese të gjykatesve dhe prokurorëve paramendone qysh kanë mu pagu?! Tmerr!”, ka shkruar Musliu.

Reagim të ashpër pati edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Një jurist me njohuri elementare e di se vendimi i Kryeministrit per uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshëm. Ky vendim nuk ka me gjetë zbatim. Nuk mundet mu zbatu një vendim i kundërligjshëm. Më vjen keq për Kryeministrin Kurti, për nivelin e njerëzve që e këshillojnë në çeshtje të drejtësisë. Këta nuk ia dojnë të mirën Kryeministrit. Të njëjtit nuk duhet me vënë në situata të tilla Kryeministrin”, tha ai.

Sa i përket Miftarajt, ky e ka vazhduar një diskutim edhe sot në lidhje me uljen e këtyre pagave, duke ia kthyer një përgjigje deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemaj, pasi ky shkroi për qëndrimin e IKD-së në raport me rritjen e pagave për gjyqtarët nga Qeveria Haradinaj, dhe uljen, nga Qeveria Kurti.

Miftaraj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shpjeguar qëndrimin e IKD-së në këto dy raste, duke thënë se kishin reaguar edhe kundër vendimit të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave.

“IKD ka qenë konsistent. Ka reaguar kundër vendimit të qeverisê Haradinaj për rritjen e pagave. Ka reaguar dhe nuk është pajtuar me vendimin e GjK që e ka legalizuar vendimin e qeverisê Haradinaj”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar edhe një herë se vendimi i Qeverisë Kurti është në kundërshtim me standardet e vendosura nga Komisioni i Venecias.

“Vendimi i qeverise Kurti eshte ne kundershtim me standardet e vendosura nga Komisioni i Venecias, se pagat e gjykatesve dhe prokuroreve nuk mund te zbriten me vendime ekzekutive nga qeveria”, tha ai.

Sa u ulën pagat?

Ajo që mund të konstatohet qysh në fillim, është se gjyqtarëve e prokurorëve paga do t’u ulet për së paku 1 mijë euro në muaj.

Gazeta Nacionale ka marrë një rast krahasimi të një gjyqtari dhe të një prokurori për ta krahasuar deklarimin e pasurisë që ata e kanë bërë para rritjes së pagave nga Qeveria Haradinaj dhe sa janë paguar pas këtij vendimi.

Një gjyqtar i gjykatës në vitin 2017 paguhej në vlerën NETO 1 mijë e 30 euro. Kurse, pas rritjes së pagës nga Haradinaj, e cila i preku edhe gjyqtarët e prokurorët, gjyqtarët paguheshin NETO 2 mijë e 129 euro. Pra, që nga sot e tutje, gjyqtarët do të paguhen 1 mijë euro më pak se kur paguheshin në 4 vitet e kaluara.

Një lëvizje pak a shumë e ngjashme është edhe në sistemin prokurorial. Nacionale ka marrë si rast krahasimi një prokuror që është paguar në vitin 2017. Paga vjetore e tij ka qenë 15 mijë euro. E pas rritjes së pagave nga Haradinaj, ai është paguar 25 mijë euro. Pra, në një lëvizje të tillë, ulja do të jetë rreth 10 mijë euro më pak në vit për prokurorët e zakonshëm.

Në këtë rast, do të preken edhe pagat e kryetarëve të gjykatave, kryeprokurorëve dhe udhëheqësve tjerë të sistemit të drejtësisë.

Deri më tash, kryetari i Gjykatës Supreme paguhej 2 mijë e 950 euro, kurse gjykatësit e Supremes 2 mijë e 655 euro. Kryetari i Apelit deri më tash paguhej 2 mijë e 655 euro.

Kryeprokurori i Shtetit paguhej 2 mijë e 655 euro, kurse Kryeprokurori i Speciales 2 mijë e 802 euro. Pagë prej 2.389 eurosh merrnin edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore, derisa prokurorët e këtyre prokurorive paguheshin 1.672 euro.

Lajme të ngjashme