Udhëheqësit italianë ishin munduar ta mbronin imazhin e vendit në fillim të pandemisë - NACIONALE

Udhëheqësit italianë ishin munduar ta mbronin imazhin e vendit në fillim të pandemisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesazhet e shkëmbyera përmes aplikacioni “WhatsApp” mes politikanëve e zyrtarëve të lartë shëndetësorë në Itali në fillim të pandemisë së koronavirusit zbulojnë se si ata ishin munduar që ta mbronin imazhin e shtetit, kur Italia qe bërë vendi i parë që ishte goditur nga virusi në Evropë. Në mesazhe duket se ata talleshin për rolin e Italisë në përhapjen e virusit.

Porositë e shkëmbyera mes udhëheqësve janë pjesë e një hetimi që i ka bindur prokurorët për t’i vënë nën hetim ish-kryeministrin Giuseppe Conte, ish-ministrin e Shëndetësisë, Roberto Speranza, dhe 17 zyrtarë të tjerë nën dyshimin për “epidemi të rënduar me faj dhe vrasje në lidhje me reagimin e qeverisë në fillimin e pandemisë, shkruan gazeta “The Guardian”.

Italia ishte shteti i parë evropian që kishte regjistruar shumë raste me Covid-19 dhe rasti i parë ishte raportuar në Lombardi më 21 shkurt 2020. Disa shtete të tjera evropiane i kishin raportuar më pas rastet e tyre të para, të gjitha me lidhje të qarta me përhapjen e virusit në Itali.

Megjithatë, në një mesazh të shkruar më 5 mars 2020 në “WhatsApp”, ish-ministri Speranza i thotë një kolegu se “duhet të shfrytëzojmë” një raport në të cilin pretendohej se rasti i parë i koronavirusit ishte regjistruar në Gjermani që të mbrohej imazhi i Italisë.

Ditën pasuese, Giuseppe Ruocco, i cili në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në mesin e atyre që po hetohen, dukej sikur tallej me rastet e regjistruara në Evropë tek udhëtarët që ishin kthyer nga Italia. “Sot dhuruam dy raste me Covid në Austri, një në Francë dhe një në Spanjë... dhe ndoshta një në Gjermani”- kishte shkruar ai.

Hetimi i nisur nga prokurorët në Bergamo përqendrohet te dyshimi për dështimin e autoriteteve për të marrë masa adekuate për parandalimin e përhapjes së virusit përmes izolimit të qytezave Alzano Lombardo dhe Nembro, kur atje ishte përhapur virusi dy ditë pas rastit të parë të konfirmuar.

Në Bergamo ishin regjistruar gjashtë mijë raste fatale gjatë valës së parë të virusit dhe prokurorët thonë se 4 mijë do të mund të parandaloheshin, nëse provinca do të ishte izoluar menjëherë.

Lajme të ngjashme