U raportua se takoi Xhelal Sveçlën, i dënuari për dallavere në UP e mohon ashpër: S’kam lidhje me ta - NACIONALE

U raportua se takoi Xhelal Sveçlën, i dënuari për dallavere në UP e mohon ashpër: S’kam lidhje me ta

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçal raportohet se është takuar me të dënuarin për dallavere në Universitetin e Prishtinës, Arjan Janova, në një kafeteri në Prishtinë.

Këto burime na thonë se fjala është për Arjan Janovën, një person që ishte dënuar për dallavere në Universitetin e Prishtinës, dhe që ishte përfolur edhe për dyshime tjera.

Por, Arjan Janova, për Nacionalen e ka mohuar se është takuar me ministrin Sveçla, bile ai thotë se ‘lidhje s’ka me të’.

“Unë s’e kam taku kurrë në jetën time Xhelal Sveçlën, kështu që ti mundesh me shkru çka të duash... unë jam në pushim, e lidhje s’kam me ta... Kurrë në jetë hiç, as atëhere e as tash, kurrë,” - ka thënë ai kur u pyet nga Nacionalja.

Për këtë takim, fillimisht shkroi ish këshilltari i Kryeministrit Kurti, Durim Berisha.

Juristi Berisha ka kritikuar ministrin Sveçla për këtë takim:

“Qytetari dixhital po me pyet, çka lyp Xhelal Sveçla ne kafe me banditin e UP-se qe njihet per shitblerje te notave e regjistrime me pare. Nejse ne Gjykate eshte vjetru landa, se kane harru me thirre seanca. Amo çka po lyp Ministri i Brendshem me nje matrapaz te tille? Dihet se matrapazi, ne te kaluaren ju ka ndihmu ne zgjedhje partive te regjimit.Thash, garant osht ka i bon "davet" me u udhezu ne rruge te drejte e me e lane krimin”, ka shkruar Berisha.

Janova në UP ishte asistent i Bujar Dugollit, një profesori (po ashtu edhe ish dekan) që është bërë përkrahës i zëshëm i Vetëvendosjes në vitin e fundit. Nga organizata ORCA, Dugolli është shpallur edhe plagjiator.

Janova ishte dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës në rastin e ish-studentëve dhe ish-asistentëve për marrje ryshfeti për regjistrim të studentëve në UP. Sidoqoftë, ai ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, me pretendimin se Janova me të tjerët nuk kishin pasur pozita udhëheqëse në UP, e rrjedhimisht nuk kanë mundur të ndikojnë.

Ndërkaq, ministri Sveçla kishte thyer 'akullin' edhe në takimin e zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes me zyrtarët serbë.

Pak javë pasi kishin fituar zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Sveçla ishte takuar me hiç më pak se Marko Gjuriqin (atëbotë drejtor i Zyres për Kosovë në Qeverinë e Serbisë). Më pas kishin vijuar edhe takimet e shefit të tij, Albin Kurtit me zyrtarët serbë.

Kujtojmë se zyrtarë dhe vartës të VV-së në kohën kur ishin në opozitë, kritikonin jashtëzkonisht qeveritë e kaluara për takime e tyre me persona të dënuar dhe që kishin probleme me ligj. Megjithatë, takimi në fjalë – që raportohet të ketë ndodhur në kafeterinë përballë Kuvendit të Kosovës – nuk është konfirmuar as nga z. Sveçla.

Lajme të ngjashme