U akuzuan publikisht nga Sveçla si "kriminelë e sulmues": Si po lirohen serbët e arrestuar në veri? - NACIONALE

U akuzuan publikisht nga Sveçla si "kriminelë e sulmues": Si po lirohen serbët e arrestuar në veri?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot është liruar nga gjykata edhe serbi Dalibor Spasiq, i arrestuar muajin e kaluar në pikëkalimin kufitar të Jarinje. Spasiq dyshohej për sulme ndaj gazetarëve kosovarë është lëshuar për t’u mbrojtur në liri në Mitrovicën e Veriut. Në fakt, ky nuk është serbi i parë i liruar në lidhje me sulmet në veri ndaj gazetarëve, policisë dhe KFOR-it. Çka ndodhi?

Avokati i serbit të dyshuar për sulm ndaj gazetarëve, i tha portalit serb të Kosovës “Kossev”, se Spasiq është liruar sot rreth orës 15:00.

“Sot rreth orës 15:10, pas pagesës së dorëzanisë, gjykatësi urdhëroi burgun në Podujevë që të lirohet DS. Për disa orë ai do të jetë në Mitrovicë dhe do të mund të mbrohet nga liria.” - tha Mitroviq për Kossev.

Avokati i Spasit tregoi se prokuroria sërisht ka kërkuar t’i vazhdohet paraburgimi.

“Por ne si mbrojtje kemi paraqitur kërkesë që ai të lirohet me kusht dhe gjyqtari i procedurës paraprake e ka pranuar atë propozim.” - sqaroi Mitroviq, transmeton Nacionale.

Në fakt, me Spasiqin ishte marrë edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në një postim, ai kishte përdorur gjuhë absolutisht të papranueshme, duke shkruar me siguri absolute se Spasiq ishte “sulmuesi” i gazetarëve. Madje, pa ia njohur të drejtën e prezumimit të pafajësisë, Sveçla konkludonte se Spasiq ishte “kriminel”.

“Sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic.... Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste.” - shkruante Xhelal Sveçla.

Ndryhe, disa ditë më parë është liruar edhe serbi me emrin Nemanja Vllaskoviq, i cili ishte arrestuar si i dyshuar për sulme ndaj gazetarëve në veri. Siç kishte konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës në Mitrovicë, Lumnije Surdulli, Vllaskoviq ishte liruar pasi kishte paguar dorëzaninë.

Sveçla ishte marrë edhe me Vllaskoviqin, të cilin e kishte cilësuar si udhëheqës të grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq. Pra sërish Sveçla kishte harruar të përdorte terme të njohura si “që dyshohet”, “i dyshuar” të cilat shënjojnë mosparagjykimin ndaj të arrestuarit deri në vendimin e plotëfuqishëm të gjykatës.

Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskoviç do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë.” - kishte njoftuar ai.

Ndryshe një tjetër serb me inicialet R.P., që ishte arrestuar nën dyshimin për dhunë në veri, ishte liruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa një tjetri me inicialet D.O. i ishte vazhduar masa e paraburgimit. Siç ka raportuar Betimi Për Drejtësi, dy të lartëcekurit dyshohen për sulme të dhunshme ndaj KFOR-it në veri. R.P. u lëshua të mbrohet në liri pasi pagoi një dorëzani në vlerë prej 30 mijë eurosh. Lidhur me zëvendësimin e masës për R.P, gjykatësi ka thënë se ka pasur pëlqim edhe nga Prokuroria Speciale.

Ndërsa në burg ende qëndron Milun Milenkoviç, i njohur si “Llune”, i cili u arrestua nën dyshime për dhunë në veri gjatë tensioneve të fundit, më saktësisht sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehuri M.M, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj.” - tha Gashi.

Natyrisht, Sveçla kishte shkruar me gjuhë të ngjashme edhe për "Llunen", duke e quajtur atë si "organizator" të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

"Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan." - shkruante ai.

Lajme të ngjashme