“Turist, baushtella, deklaratë strategjike” – Si shpërthyen reagimet pas deklaratës së Ramush Haradinajt për Thaçin
Një deklaratë e mbrëmshme nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kthyer në diskutim sërish temën e kahmotshme se kush ka luftuar, e kush ka qëndruar nëpër Shqipëri. Reagime ka pasur nga të gjitha anët. Disa kanë vlerësuar se Haradinaj duhet të kërkojë falje, e dikush e cilësoi si deklaratë strategjike. Nacionale sjell të përmbledhura reagimet.
Rogneri është kthyer sërish në diskutimet për pjesën e luftës në Kosovë. Kësaj radhe këtë herë debatin e ndezi kryetari i AAK-së e ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit tha se Hashim Thaçi e Rrustem Mustafa kanë qenë turist në luftë. Sipas tij, Thaçi ka qëndruar në Rogner.
“Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndru në Drenicë, ai ka qëndru në Rogner, ka qëndru diku tjetër. Zoti Rrustem Mustafa turist është. Ka luftuar tre javë Remi në Llap. Ose tjetri ose tjetri, turista janë në UÇK, o djem. E kanë bërë të përkohshëm, përkohësisht hin e dil. Nuk jam duke ju fol pahiri, por po ju fol dikush i cili që nga data 24 mars 1998, shkoni le t’i marrin hetuesit e Kosovës, prokurorët, le t’i hijnë rend Dukagjinit, le t’i pyesin katun për katun: A jeni kanë në luftë, sa vet jeni kanë, kur ja keni nis, çka ka ndodhë me ju?”, ka thënë Haradinaj në Tëvë1.
Ish-pjesëtari i UÇK-së e ish-deputeti, Zafir Berisha, reagoi ashpër pas kësaj deklarate. Tha se në vitin 1993 kur disa kanë sulmuar policinë serbe, Haradinaj ka punuar në baushtellë.
“Ne që e kemi sulmuam milicin e Serbisë 1993, dikush që dihet edhe 1992, nuk është korrekte të themi që Ramushi në atë kohë ka qënë duke punuar në “baushtellë” në Zvicër!!! Me gjithë respektin për luftën që ka bërë Ramushi me familje dhe bashkëluftëtarët e tij në Dugagjin, nuk besoj që kjo i jepën të drejtë atij me u shprehë për të tjerët kështu, veçenarisht në këtë kohë kur Serbia dhe argatët e saj në pushtet, nuk po lën gurë pa lëvizuar për ta vën në pikëpytje luftën e lavdishme të UÇK-së dhe të arriturat e saj”, ka shkruar Berisha në facebook.
Për këtë temë u pyet edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Ai nuk pranoi të komentojë, duke thënë se me deklarata të tilla nuk iu bëhet nder krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Për analistin Imer Mushkolaj, deklarata e Haradinajt ka qenë strategjike. Kjo duke lënë të nënkuptohet se mund të ndërlidhet me gjykimin që po vazhdon në Dhomat e Specializuara të Hagës.
“Deklaratë strategjike e Ramushit për Hashimin. Çka me bo që Zafa e do tjerë si Zafa nuk e kuptojnë”, ka shkruar Mushkolaj.
Reagim të ashpër pati edhe analisti Valon Syla.
“Është një thënie te historianët e përmendin shpesh se 'aq shpejt e ndërroni historinë sa që s'pe dimë çka ka ndodhë pardje'... Une e di, përafërsisht... kush ka qenë përnime turist e kush luftar, kush ushtar e kush komandant. Veç juve ju kanë përzi kabllat për me ju hi Vetëvendosjes nër sjetull. Thaçi në burg është. Lene njerin rahat, se për turizëm se njoh kërkon që e kanë ndal në burg”, ka shkruar Syla.
Në mesin e atyre që reagun është edhe opinionisti e gazetari Ilir Mirena.
“Unë njëherë mendova që deklarata e Ramush Haraadinajt se “Hashim Thaqi e Rrustem Mustafa kanë qenë vetëm turistë në luftë” është e disa viteve më parë, në një emision që e ka pas Tribuna Channel, Republika. Haradinaj e paska dhanë mbrëmë këtë deklaratë. Shumë e papërgjegjshme prej tij. Ama, shumë e leverdishme për pushtetin e Kurtit, në këtë periudhe kur nuk po i ndalin sulmet ndaj veteranëve dhe vlerave të UÇK’së...”, ka shkruar Mirena.
Në anën tjetër, komandanti i zonës së Llapit, Rrustem Mustafa, nuk ka pranuar të komentojë gjatë ditës së sotme lidhur me këtë deklaratë.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit ish-udhëheqës i luftës së UÇK-së, Xhavit Haliti ka thënë se “e konfirmon me jetë” që në “Rogner” nuk ka fjetur asnjë anëtar i Shtabit Qëndror deri në përfundimin e luftës.
Ai për Blic, duke folur mbi deklaratat e Rmaush Haradinajt, tha se aty janë mbajtur tri konferenca për media, derisa anëtarët e ushtarët e Shtabit Qëndror, kanë fjetur në banesa private.
“E konfirmoj me jetë që në “Rogner” nuk ka fjetur asnjë anëtar i Shtabit Qendror as i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, gjatë gjithë kohës së luftës deri në përfundim të saj. Në “Rogner” janë mbajtur tri konferenca për shtyp, të cilat i ka mbajt Jakup Krasniqi. Në Rogner ka fjetur Ahmet Krasniqi, ndërsa anëtarët, ushtarët e Shtabit Qendror dhe të Përgjithshëm kanë fjetur në banesa private.” – citohet të ketë thënë ai.

