Tri kërkesat e Lajçakut dhe Escobarit dhe paralajmërimi i Kurtit - çka u tha tjetër në takim? - NACIONALE

Tri kërkesat e Lajçakut dhe Escobarit dhe paralajmërimi i Kurtit - çka u tha tjetër në takim?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tri kërkesa kryesore që janë publikuar në medie, dolën nga takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobari. Ndërsa Kurti, u tregoi atyre se kur mund të mbahen zgjedhjet në veri.

Takimi mes tyre që u mbajtë në orët e mbrëmjes të së hënës, ka prodhuar tri kërkesa ndaj Qeverisë së Kosovës për situatën aktuale politike e të sigurisë në vend.

Kërkesa e parë e Lajçakut dhe Escobar është që të de-përshkallëzohet situata në veri të vendit menjëherë.

Në vend të dytë, është renditur kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri dhe pjesëmarrja e serbëve lokalë në këto zgjedhje

Ndërkaq, kërkesa e fundit është që palët të kthehen në dialog për normalizimin e marrëdhënive.

Kështu ka njoftuar emisari i BE-së, Miroslav Lajçak në Twitter.

“Unë dhe Escobar u takuam me kryeministrin @albinkurti dhe me kryeministrin e parë @BislimiBesnik. Jemi thellësisht të shqetësuar për situatën në veri dhe bëjmë thirrje për deeskalim të menjëhershëm në terren, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim.” – ka shkruar të martën në mëngjes Lajçak në rrjetin social Twitter.

Ndërkohë, emisari amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë se shpreson që Kosova do t’i dëgjojë kërkesat e tyre, pasi Amerika është përkrahëse e pavarësisë dhe sigurisë së Kosovës.

"Shpresoj të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit. Erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi.” - ka thënë ai gjatë konferencës për media pas takimit me Kurtin.

Detaje për këtë takim ka dhënë edhe Zyra e Kryeministrit.

Kurti në takim ka kërkuar që të ndalen sulmet e ekstremistëve të dhunshëm në veri të vendit dhe ndjekjen penale të tyre.

“U shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për de-eskalim të situatës në veri dhe urgjenca për zbatim të Marrëveshjes Bazike e Aneksit të zbatimit.”

“Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Ëashingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj.” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Më tej, Kurti për zgjedhjet e parakohshme ka thënë se mund të mbahen vetëm nëse ka sundim të ligjit.

Në njëfarë frome Kurti ka pranuar se mund të ketë zgjedhje të reja teksa ka theksuar se nëse ka rend dhe ligj mund të zvogëlohet edhe numri i policëve.

“Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore, theksoi kryeministri Kurti. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore.” – thuhet në njoftim.

Kujtojmë se sot gjatë ditës Lajçak dhe Esobar do të takohen me presidenten, Vjosa Osmani dhe me lidërt e partive opozitare.

Ata do të udhëtojnë edhe për në Beograd.

Lajme të ngjashme