“Treni bullgar”, “votimi me asistencë”: Zyrtarët e PDK-së dhe VV-së përplasen ashpër në mbledhje të KQZ-së - NACIONALE

“Treni bullgar”, “votimi me asistencë”: Zyrtarët e PDK-së dhe VV-së përplasen ashpër në mbledhje të KQZ-së

3 javë më parë

nga NACIONALE

Mbledhje e sotme e KQZ-së është karakterizuar me përplasje të ashpër në mes të anëtarëve të VV-së dhe PDK-së. Votimi me asistencë dhe “treni bullgar” janë bërë sebep të një debati të ashpër në mes të këtyre zyrtarëve.

Fillimisht, anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi, është ankuar se votimi me asistencë po keqpërdoret.

Në adresimin e tij, ai ka thënë se ka zyrtarë ekzekutivë komunalë që kanë qenë të përfshirë me grupet parapolitike që i kanë keqpërdorur metodat e tilla të votimit.

Votimi me asistencë po del që është një specialitet i dikujt me vjedh vota. Votimi me asistencë është paraparë me ligjin e vjetër. Me ligjin e ri është hequr qëllimshëm për shkak të nivelit të lartë të keqpërdorimit të kësaj forme të votimit. Ne i dimë dy komuna ku është manipuluar. Dy mijë veta janë paraqitur votues me asistencë. Kemi vullnete të vjedhura të qytetarëve. Për këtë është përgjegjës sekretariati. Ka me dhjetëra raste nëpër komuna që asistuesit kanë asistuar më shume se dy herë”, është shprehur ai.

Më tej, ai ka kërkuar hetim për votimet që bëhet me asistencë.

I bëj thirrje zonjës Pula dhe të gjithë grupit të prokurorëve të fillojnë të dëgjojnë prej kësaj mbledhje çka po ndodhë dhe të gjitha komunikimet që rrjedhin nga sekretariati dhe kushdo në raport me komisionet komunale zgjedhore. Nuk mundemi ndryshe me u pastru prej kësaj ndërmarrje kriminale që na ka sjellë mijëra vota me asistencë, të njerëzve të shnoshë si molla. Të cilëve u është ndërruar vullneti nga grupet parapolitike. Kryetar është roli juaj që të sigurohet integriteti i zgjedhjeve”, ka thënë Krasniqi.

Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi.

Edhe ky i fundi e ka ftuar prokurorinë të hetojë çdo keqpërdorim.

Në çështjet te prokuroria nuk dhezin tek unë. Edhe unë e ftoj prokurorinë të tregoj se kush po merret me këto shkelje. Nëse i referohemi ligjit, një qytetar që është i paaftë është edhe një qytetar që nuk din shkrim lexim. Po kërkoj që kësaj kategorie t’i tregojmë se çfarë dokumenti duhet të ketë që të dëshmojë se është analfabet, nuk din shkrim lexim. Unë ftoj organet t’i marrin për bazë këto. Konsideroj që udhëzimet duhet të jenë të qarta”, ka thënë Gashi.

Më pas, fjalën e ka marrë anëtari tjetër i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi.

Edhe ky i fundit ka pretenduar se vota me asistencë është manipuluar në komunat ku ka fituar PDK-ja.

Derisa shprehte këto pretendime, ka ndërhyrë anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, duke thënë se VV-ja e ka përdorur metodën e “trenit bullgar”.

Kjo ka nxitur një reagim të ashpër të Kurteshit, i cili e ka akuzuar PDK-në së në Kosovë e ka instaluar “trenin bullgar”.

Z. koleg veç pak, se këqyr qysh e gjuan fjalën. Treni bullgar në Republikën e Kosovës është instaluar nga PDK-ja. PDK e ka zublue trenin bullgar në Kosovë. Tash po e përdorin trenin kosovar”, ka thënë Kurteshi.

Derisa zyrtarët e PDK-së i tregonin Kurteshit se pretendimet e tij nuk qëndrojnë, zyrtari i VV-së është nervozuar. Madje, në shenjë proteste, ai disa herë e ka goditur tavolinën me grusht.

Terë këtë situatë është munduar ta qetësonte kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radonqi, duke kërkuar nga palët që të qetësohen.

Lajme të ngjashme