Tre policët e kidnapuar dalin sot para gjykatës në Serbi - NACIONALE

Tre policët e kidnapuar dalin sot para gjykatës në Serbi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, tre zyrtarë policorë të Kosovës që u kidnapuan nga policia e Serbisë në brezin kufitar në veri të vendit, do të dalin sot përsëri para gjykatës në Kralevë. Ata ishin kidnapuar më 14 qershor. Që nga ajo ditë po qëndrojnë në paraburgim në Serbi.

Tre policët kishin daluar para gjykatës edhe më 16 qershor ku ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Sipas Serbisë, tre policët kosovarë janë nën akuza se “kanë kryer nga një vepër penale ‘prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese’.

Ata sot do të dalin përsëri para gjykatës në Kralevë të Serbisë me fillim nga ora 09:00.

Kidnapimi i tre policëve kishte rritur edhe më shumë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve duke thënë se ata janë kidnapuar thellë brenda territorit të Kosovë dhe se Serbia ka kryer agresion ndaj vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve.

Ai në deklarimin e tij të fundit ka thënë se Serbia ka kryer agresion ndaj shtetit të Kosovës.

Në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku. Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët.” – kishte thënë Kurti në një shkrim në Facebook ditë më parë.

Tutje, Kurti kishte prezantuar edhe fakte se ku po qëndronin policët në momentin kur u kidnapuan nga policia serbe.

Gjithashtu edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar lirimin pa kusht të tre policëve. Më te zëshëm në kërkesën për lirimin e tyre kanë qenë amerikanët.

Departamenti amerikan Shtetit ka ripërsëritur thirrjen ndaj Serbisë që t’i lirojë menjëherë tre zyrtarët policorë kosovarë që po mbahen në Serbi.

Në një përgjigje për “Zërin e Amerikës”, DASh ka deklaruar se ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë shumë të qartë në pritshmëritë që kanë nga të dyja palët.

Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin menjëherë hapa konkret për deeskalimin e tensioneve. Kjo përfshin lirimin e pakusht të tre zyrtarëve policorë që po mbahen në Serbi. Të dyja palët duhet të ndjekin planin e propozuar nga BE-ja dhe të rikthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja pa vonesa.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Po ashtu edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borell ka thënë se i ka kërkuar presidentit serb, lirimin e tre policëve.

I kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. - ka thënë Borrell në konferencë për media pas takimit që pati javën e kaluar me Kurtin dhe Vuçiqin.

Në anën tjetër, Serbia pretendon që tre policët kosovarë ishin futur thellë në territorin e Serbisë.

Ndërkaq, KFOR-i ka thënë se mbetet e paqartë se ku kanë qenë saktësisht policët gjatë kidnapimit.

Lajme të ngjashme