Gjykata në Serbi vendos për paraburgimin e tre policëve të rrëmbyer - NACIONALE

Gjykata në Serbi vendos për paraburgimin e tre policëve të rrëmbyer

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Radio Evropa e Lirë raporton se tre policëve të Kosovës, që u kidnapuan nga forcat serbe më 14 qershor, u është shqiptuar masa e paraburgimit. Siç njofton ky medium, ata dyshohen për posedim të paligjshëm të armëve..

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë. Tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit.” – shkruan REL.

Tashmë për këtë çështje, është lëshuar edhe një komunikatë.

“Me rastin e ngjarjeve të 14 qershorit 2023, në fshatin Gnjilicë, komuna e Rashkës, Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë më 16 qershor 2023 ka lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve kundër të dyshuarve B.S. (1965), R.Z. (1975) dhe M.Sh. (1961) për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se kanë kryer nga një vepër penale ‘prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese’ nga neni 348 paragrafi 4 lidhur me 2 lidhur me paragrafin 1 të. Kodit Penal…Sipas propozimit të prokurorit publik të Prokurorisë së Lartë Publike në Kralevë, gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Kralevë ka urdhëruar paraburgimin për të gjithë të dyshuarit”, thuhet në njoftim, transmeton Klan Kosova.

Ndryshe, më 14 qershor, tre zyrtarët policorë të Kosovës u kidnapuan në veri nga ana e Serbisë, një akt që ngjalli shumë reagime në Kosovë. Në lidhje me këtë tëmë kanë folur edhe zyrtarët e Kosovës, por edhe ata të Serbisë. Sigurisht, edhe ndërkombëtarët nuk kanë mbetur të heshtur për këtë çështje.

Reagimet për arrestimin e tre policëve

Dje gjatë raportimin në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti tregoi se si ka ndodhur e gjithë ngjarja, që u vlerësua si akt i dhunshëm i Serbisë, duke thënë se kidnapimi i tyre erdhi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e Milun Milenkoviqit, i njohur si Llune, e që dyshohet për vepra të ndryshme penale.

“Sot dëshiroj që të fillojë këtë fjalë timë në kuadër raportimit para Kuvendit të Kosovës, duke rikujtuar që situata në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës është rezultat i përplasjes së dy paradimgave, asaj të sundimit të kushtetushmërisë dhe ligjërshmisë dhe asaj të sundimit të grupeve krminale, të cilat kanë edhe primesa dhe premisa të fashizmit si ideologji e milicisë, si shprehje e dhunës ndaj institucioneve legjitime.” – tha në hyrje Kurti.

Tutje, në fjalimin e tij, shefi i ekzekutivit i kritikoi edhe ndërkombëtarët për mos reagim.

“Unë kam pasur bisedime telefonike edhe mbrëmë me Gabriel Escobar, Jeffrey Hovenier dhe këtu po vi nga një takim i përbashkët me të gjithë ambasadorët, zv/ambasadorët e misioneve dhe diplomatët e tjerë. Ku gjerë e gjatë ua shpjeguam duke i informuar për dje dhe sot. Dhe, tash 30 orë nga kidnapnimi i tre policëve dhe ende nuk kemi deklaratë zyrtare dhe shpjeguese nga KFOR’i të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjeve ua shpreha edhe protestën time por edhe kërkesën për reagim urgjent”, ka thënë Kurti.

Reagimi i ndërkombëtarëve

Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë një konference për media mbërë, theksoi se ShBA-ja pret nga palët, Kosova e Serbia, të marrë hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet. Tutje, ai theksoi se ShBA-ja kërkon lirimin pa kushte të tre policëve të kidnapuar në veri të Kosovës nga Serbia.

“Pritshmëritë tona për të dyja palët, janë që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet. Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës të ndaluar së fundmi. Ne besojmë se të dyja palët duhet të ndjekin planin me tre pika që është përshkruar nga BE pa vonesë. Si pjesë e kësaj, siç kemi folur më parë, kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga vende alternative dhe të tërheqin forcat policore. Ne vazhdojmë të dënojmë dhunën e papranueshme kundër trupave të udhëhequr nga NATO, ndaj forcave të rendit dhe gazetarëve. Dua të shtoj se ne vijojmë të jemi të angazhuar drejtpërdrejt si me të dyja palët ashtu edhe me partnerët tanë në rajon. Sekretari Antony Blinken ka pasur biseda me partnerët në rajon për këtë çështje.” - deklaroi Miller në një konferencë për shtyp.

Pas ShBA-së, e cila kërkoi lirimin pa kushte të policëve, edhe Britania e Madhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që u kidnapuan nga Serbia dy ditë më parë.

Në një deklaratë me shkrim të botuar në uebfaqen e Qeverisë së Britanisë të Madhe, kërkohet edhe përmbajtje maksimale nga Kosova dhe Serbia. Tutje, aty kërkohet të shmanget masat e njëanshme dhe shtensionim të situatës.

“Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor.

Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet.” – theksohet në deklaratë.

Qeveria e Britanisë së Madhe ka theksuar zgjedhjet e reja duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur.

Lajme të ngjashme