Kurti publikon fotografi: Tre policët u rrethuan nga 15 persona, duhet lirim pa kushte
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka shkruar një status në lidhje me tre policët kosovarë të kidnapuar nga Serbia javën e kaluar.
Në postimin e tij, Kurti ka ofruar ca fakte, përfshirë disa fotografi. Kurti shkroi se tre policët janë rrethuar nga 15 persona.
“Në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku. Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët.” – shkroi ai.
Tutje, Kurti ka kërkuar dënimin e këtij akti nga faktori ndërkombëtar, pasi përbën shkelje të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës.
“Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999.” – shkroi ai.