Tre musketerët: Qysh i “rehatoi” pushteti Ramabajën, Racin e Aliun? - NACIONALE

Tre musketerët: Qysh i “rehatoi” pushteti Ramabajën, Racin e Aliun?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë tre emra, të cilët në sytë e pushtetit mund të jenë edhe tre “musketerë”, që kanë përfituar nga Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje. Sadri Ramabaja, Luljeta Aliu dhe Gazmir Raci janë emrat e përveçëm që, në një formë apo tjetrën, janë rehatuar nga ana e pushtetit aktual. Mënyrat e përfitimit janë të ndryshme, megjithatë që të tre kanë një gjë të përbashkët: janë përkrahës të Qeverisë Kurti.

Dy ditë më parë, u kuptua që Raci, të cilin Nacionale e ka quajtur shpesh “analist të afërt me Qeverinë Kurti”, është “rehatuar” në një projekt të financuar nga Bashkimi Evropian. Siç e ka konfirmuar Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal, Raci do të paguhet bruto 2 mijë euro në muaj për pozitën “Zyrtar i Antenës për Sekretariatin e Përbaskët Teknik “SPT” për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Mali i Zi-Kosovë në kuadër të IPA III (2021-2027).

Në reagimin e tij, Raci tentoi të arysetonte këtë “rehatim”, duke shkruar se aty punon edhe më herët.

“Miq, unë punoj në të njejtin projekt që financohet nga Bashkimi Evropian që më shumë se 7 vjet” – ka shkruar ai të hënën.

Për dallim nga musketeri nga Peja, një tjetër nga Kamenica ka përfituar nga Qeveria Kurti në një formë pak më të ndryshme. Siç kishte rapotuar Nacionale dhe media të tjera, Qeveria Kurti vitin e kaluar ia kishte financuar Ramabajës OJQ-në e tij, të cilin ai e ka quajtur në mënyrë mburravece si “Instituti shqiptar për gjeopolitik”.

Analisti Ramabaja, që është edhe aktivist i VV-së, kishte fituar mbështetje financiare në “një tender për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave gjuhësore.” Atëbotë, Ramabaja kishte treguar se OJQ-ja e tij ishte financuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, pra nga zyra e Kurtit, me 5-6 mijë euro.

“Po kështu më ka njoftuar sekretari, meqenëse shkresën s’e kam marr ende. Jo bre ajo është shumë e vogël, formale, diku 5-6 mijë euro. Për një projekt për të cilin kemi aplikuar, për diku 3 muaj, në të cilin pesë veta do të jenë të angazhuar.” – kishte thënë Ramabaja i pyetur për këtë rast.

Ndërsa personi i tretë, që ishte përkrahës i zjarrtë i VV-së e që përfitoi nga pushteti i VV-së, është ish-analistja Luljeta Aliu. Ajo përfitoi në një mënyrë tjetër. Me mbështetjen e shumicës parlamentare, pra të pushtetit, Aliu u votua me 48 vota për t’u bërë anëtare e Komisionit të Pavarur për Medie.

Emërimin e Aliut, e cila kishte marrë më së shumti pikë nga Komisioni i Kuvendit, e kishte kundërshtuar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve, për shkak të dyshimeve për afërsinë e Aliut me VV-në.

“Kuvendi i Kosovës pritet që sot të zgjedhë tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave. Jam thellësisht i shqetësuar të dëgjoj që partia që udhëheq në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, do të zgjedhë persona që janë përkrahës të kësaj partie.”thuhej në një reagim të Sekretarit të Përgjithshëm të EFJ-së, Ricardo Gutierrez.

Lajme të ngjashme