Tri javë afat pa perspektivë numrash, Haxhiu s’fton seancë konstitutive që “t’u japim kohë partive” për bisedime
Tri javë është kalendari kushtetues që kur vendi duhet të ketë legjislativin e themeluar.
Kujdestarja e zyrës së presidentit/es, Albulena Haxhiu, s’ka ftuar seancë konstitutive ende me arsyetimin se synon “t’u jep kohë” partive politike për konsultime.
“Haxhiu vlerëson se partive politike duhet t’u lihet koha dhe hapësira e nevojshme për bisedime dhe për arritjen e marrëveshjes që i duhet vendit për zgjedhjen e presidentit,” u tha për media nga institucioni i presidentit/es.
Partia Vetëvendosje e Albin Kurtit thotë se i ka numrat–deri në 62–për të themeluar kuvendin dhe qeverinë, thjesht me pakicat jo-serbe dhe një serbe.
Me konstituimin e Kuvendit të Kosovës rrjedh me automatizëm afati 60 ditor kushtetues për zgjedhje të presidentit.
Shterrimi i pasuksesshëm i 60 ditëshit për president, e çon po ashtu vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Albin Kurti i Vetëvendosjes gazetarëve u ka thënë se sa i përket partisë së tij, ajo do të jetë e njëjtë në qasje me atë të legjislaturës së kaluar,
“Për themelimin e institucioneve të legislaturës së 11-të nuk duhet ne të ndryshojmë, sepse ne ishim ata që morën iniciativat për takimet, ne ishim ata që ofruam bashkëqeverisje me LDK-në, nga ana jonë kishim oferta e propozime, konstruktuvitet dhe aktivitet,” pati thënë ai javë më parë.
Në atë që vijoi dhe takimet që u ftuan, Aleanca refuzoi takimin duke u qëndruar “gjashtë kërkesave” të tyre, më parësorja pranimi i gazit dhe projekteve të gazit amerikan.
Partia Demokratike e Kosovës njoftoi publikisht se nuk do të synojnë marrëveshje me Vetëvendosjen dhe se do të kryejnë punën e tyre parlametnare si opozitë.
“Bazuar në diskutimet që i kemi pasë, qëndrimi jonë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen të bisedojnë t’i jepin vendit institucione”, tha Hamza.
Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës e ka gjetur veten në një pamundësi operimi me thirrjen e Kuvendit Zgjedhor për zhvotim të kryetarit, Lumir Abdixhiku.
151 nënshkrime u deponuan për të thirrur organin më të lartë të kësaj partie për ta peshuar në votëbesim Abdixhikun.
Ky i fundit në shoqërim të Vjosa Osmanit zhvilloi bisedime me Albin Kurtin për marrëveshje politike për formim të institucioneve, ndonëse nuk i zotëronte votat kompakte të grupit parlamentar në ardhje të LDK-së.
Por, kjo rrugë iu ndal në gjysmë.
Nga partia Vetëvendosje u ankuan se kjo gjë “e pengon” një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas Kusarit, përfaqësuesit e LDK-së që kërkojnë largimin e Lumir Abdixhikut kanë qenë kundërshtarë të bashkëpunimit me Vetëvendosjen.
"Shihet qartë se përpjekja është për të mos u lënë për t'u arritur një finalizim i një marrëveshjeje", tha ajo në KTV.
Abdixhiku në anën tjetër tha se i ka ndërprerë angazhimet për bisedime me Vetëvendosjen në dritën e iniciativës së mosbesimit të tij.
“Nuk do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për ta udhëhequr dhe për ta përfaqësuar atë është vënë në diskutim”, tha ai.