Tre ditë për president, çdo ditë faj-hedhje: Pakoja 200 milionëshe përtej procedurave, mollë e re sherri
Qeveria e Kosovës dhe opozita janë përplasur mbi moskalimin e “rishikmit të buxhetit” të sjellë nga pushteti veçse tri ditë para se të dihet përfundimisht nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
VV, me pushtet prej 51% që mund të kalojë çfarëdo “rishikimi të buxhetit,” e solli me kërkesë për të shmangur të gjitha procedurat, për çka i duhen 2/3 të votave.
Kjo për një paketë prej 200 milionë eurosh për përballje me inflacionin, që opozita e sheh veçse për “blerje votash” në prag zgjedhjesh dhe të sjellë asisoji për të ndërtuar tregim fajësimi.
Ekzekutivi e ka atribuar përgjegjësinë te opozita, duke e vlerësuar votimin si pengim të qëllimshëm të ndihmës për qytetarët.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se vota kundër trajtimit të rishikimit buxhetor në seancë plenare bllokoi financimin e paketës.
“Sot opozita votoi kundër trajtimit në seancë plenare të rishikimit të buxhetit… kjo pako mbështetëse do të ishte një ndihmë e shumëpritur… por ja që partitë opozitare mendojnë ndryshe.”
Sipas tij, rishikimi i buxhetit ishte “parakusht” për zbatimin e Paketës për Përballje me Inflacionin 2.0.
Reagimet nga opozita kanë qenë të menjëhershme, duke e kundërshtuar këtë tregim dhe duke e cilësuar si abuzim të procedurave parlamentare.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, argumentoi se shumica parlamentare ka votat e mjaftueshme për të kaluar çdo rishikim buxhetor.
“Mos bëni propagandë! Buxheti kalon me shumicë të thjeshtë… LVV i ka 66 deputetë. Asnjë parti opozitare s’mund ta pengojë Kurtin.”
Ajo theksoi se përgjegjësia për moskalimin e paketës bie mbi vetë shumicën qeverisëse.
“Pengesa e vetme e Kurtit është vetë apetiti i tij për të sunduar.”
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, po ashtu ishte e zëshme kundër pretendimit për bllokim nga opozita, duke theksuar shumicën e numrave të qeverisë në Kuvend.
“Si paska mundësi që opozita ju ka bllokuar… kur i keni 66 deputetë në Kuvend? Shumicë solide.”
Ajo rikujtoi mbështetjen e mëhershme të opozitës për procese kyçe shtetërore.
“Si ju ka bllokuar opozita që ka votuar çdo marrëveshje ndërkombëtare…? Hajde, tregoni. Të paaftë.”
Deputetja Janina Ymeri e lidhi dështimin me kohën dhe mënyrën e paraqitjes së paketës.
“Pakoja… nuk kaloi sepse u soll shumë vonë dhe pa procedurë të rregullt.”
Sipas saj, mungesa e votave lidhet edhe me pjesëmarrjen brenda vetë shumicës parlamentare.
“Nuk i kishin as 66 vota… disa prej deputetëve të tyre mungonin.”
Ymeri vuri në pikëpyetje kohën e prezantimit të paketës në raport me zhvillimet politike.
“Pse nuk e solli pakon më herët, por vetëm tri ditë para afatit të zgjedhjeve?,” pyeti ajo.