Trazirat e marsit – si nisi e çka bëri vaki në ditët më të këqija të Kosovës së pasluftës?
Trazirat e dhunshme të marsit 2004 mbesin ndër ngjarjet më të rënda në Kosovën e pasluftës. Dhjetëra persona mbetën të vrarë e qindra të plagosur, ndërsa u shënuan dëme të shumta materiale, dëmtim e shkatërrim i pronave publike e private, por mbi të gjitha trazirat e atyre dy ditëve ishin cënimi më i madh i sigurisë kombëtare.
Më 16 mars 2004, Radio Televisioni i Kosovës (RTK) në lajmet qëndrore shfaqte një kronikë për vdekjen e dy fëmijëve në lumin Ibër. Ndër detaje tjera, kronika televizive përfshinte edhe dëshminë e një fëmije tjetër i cili kishte arritur të shpëtonte nga lumi.

I mituri, mes shumë paqartësive e ngatërrimeve, rrëfente para kamerës së televizionit publik se ai dhe shokët e tij ishin ndjekur nga një grup i të rinjve serbë të cilët edhe u kishin sulur qenin. Për t’i shpëtuar sulmit të qenit, fëmijët nga fshati Çabër ishin hudhur në lum. Nga lumi nuk arritën të dalin dy prej tyre dhe që ishin të moshave 9 dhe 12 vjeçare.
Zyrtarë policor të UNMIK-ut do thonin më vonë se deklarata e të miturit ishte bërë nën presion dhe se ajo nuk përkonte me dëshmitë e fëmijëve tjerë shqiptarë që ishin të pranishëm në po atë ngjarje.
Në raporte të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të misionit të OSBE-së në Kosovë, kritikohej RTK-ja për raportim joprofesional, të një-anshëm dhe ndër kronika në fjalë shihej si nxitësja kryesor e trazirave të 17 dhe 18 marsit 2004 nga ku mbetën 19 persona të vdekur dhe mbi 900 tjerë të lënduar, shumë prej tyre rëndë. Po ashtu, për raportim të një-anshëm dhe jo profesional për trazirat e marsit 2004 janë akuzuar edhe televizione tjera nacionale si dhe medie të shkruara.
Asnjë gjyq nuk është zhvilluar për vdekjen e fëmijëve dhe asnjëherë deri më sot nga asnjë raport policor nuk është sqaruar plotësisht situata e vdekjes së dy fëmijëve në lumin Ibër.

Me shfaqjen e kronikës televizive në RTK, filluan marshime të gjimnazistëve në Mitrovicë dhe ku u bashkangjitën edhe stafi mjekësor lokal e mësimdhënësit, si dhe qindra qytetarë tjerë.
Konfrontimet e protestuesve me policinë e UNMIK-ut dhe forcat e KFOR-it nisën shumë shpejt. Për pak orë, u shënuan edhe përplasjet e para ndër-etnike me pjesëtarët e komunitetit serb të anës veriore të qytetit.
Që atë ditë u organizuan protesta nëpër gati secilën prej qendrave të mëdha të Kosovës. Para kësaj, më 15 mars ishte vrarë me armë zjarri një i ri serb në Çagllavicë nga një grup i të rinjve shqiptarë – të cilët ishin arrestuar – dhe rasti në Mitrovicë shihej si hakmarrje e serbëve për vrasjen e dy ditëve më parë.
Ndërsa më 17 mars turmë e madhe e shqiptarëve ishte nisur nga Prishtina në drejtim të Graçanicës dhe ku u sulmuan shtëpitë e serbëve apo edhe forcat e KFOR-it. Trazirat vazhduan gati nëpër secilin qytet të vendit, ku shqiptarët sulmonin dhe shkatërronin kishat dhe manastiret ortodokse, pastaj vendbanimet me shumicë serbe. Diku mbi 30 kisha e ndërtesa përcjellëse ortodokse ishin shkatërruar e djegur përgjatë dy ditëve.
Në anën tjetër, në vendbanimet me shumicë serbe sulmoheshin shqiptarët dhe shtëpitë e tyre, apo edhe xhamitë – disa xhami ishin djegur edhe në Serbi.
Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i theksonin se në shumë prej këtyre sulmeve përdoreshin armë zjarri, mjete tjera shpërthyese, koktej mollotovi dhe se shumica e të vrarëve ishin qëlluar me armë zjarri.

Një vit e gjysmë më vonë, Misioni i OSBE-së do nxirrte raport ku do të kritikonte ashpër gjyqësorin e Kosovës për dështim në shqyrtim të veprave penale të lidhura me trazirat e marsit.
“Përgjigja e drejtësisë kosovare ndaj trazirave të marsit të vitit 2004, ishte e dobët dhe joadekuate,” – vlerësonte raporti i Departamentit për Drejtësi i misionit të OSBE-së në Kosovë.
Raporti, ndër tjerash, theksonte se sistemi i drejtësisë kosovare ka dështuar të përçojë porosi për qytetarët duke e dënuar këtë lloj të dhunës. Raporti vërente një numër problemesh që kanë të bëjnë me hetimet e krimeve; në mbledhjen e dëshmive, për shkak të një numri faktorësh përfshirë edhe atë të frikësimit të dëshmitarëve ose të mosdëshirës së dëshmitarëve për të dëshmuar para gjykatës.

Kritika raporti kishte edhe ndaj gjykatave: për ngritjen e akuzave joadekuate, me të cilat janë akuzuar personat të ndryshëm dhe që nuk kanë ndonjë lidhje me rastet. Po ashtu, gjykatat kritikoheshin se kanë dhënë dënime të lehta. Mbi 400 persona ishin akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me trazirat e marsit dhe vetëm 209 prej tyre janë dënuar.
Trazirat e marsit edhe sot shihen me dyshim: ende nuk dihet se a ishte ndezja e trazirave spontane, apo dikush qëndronte prapa tyre me qëllime të caktuara. Sdioqoftë, Kosova vazhdon të akuzohet nga Serbia për trazirat e marsit dhe pasojat e këtyre akuzave janë parë edhe kur Kosova refuzohet nga UNESCO dhe ndër akuzat më të shpeshta të shtetit serb lidheshin me shkatërrimin e kishave ortodokse në mars 2004.

Në anën tjetër, trazirat e marsit lëvizën ujërat politike deri tek nivelet më të larta politike. Sekretari i atëhershëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, e delegoi diplomatin norvegjez, Kai Eide, për përpilimin e një raporti që do tregonte se cila ishte situata në Kosovë.
Në vitin 2005, do caktoheshin ‘‘standardet’’ që pala kosovare duhet t’i plotësonte, para kësaj. E negociatat do ‘‘formalizoheshin’’ kur u caktuan ‘‘Parimet Udhëzuese për Zgjidhjen e Statusit të Ardhshëm të Kosovës’’ dhe ku, ndër tjera, thuhej se ‘‘zgjidhja duhet të jetë në pajtim me rezolutën 1244 dhe të drejtën ndërkombëtare’’, por para kësaj duhej të negociohej me Serbinë. Diplomati dhe ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisari ishte ndërmjetësues mes dy palëve.