Trashet trysnia për ‘hapin e prekshëm’ rreth Asociacionit para Këshillit të Evropës: Shpjegojmë
*A do të jetë dërgimi i Draftit të Asociacionit në Kushtetuese, kusht për ‘stadin’ e fundit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës?
*Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, më 16 prill mbështeti raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
*Tani, kjo çështje është në duart e ministrave të jashtëm të Këshillit të Evropës. Një prej kushteve që vazhdon të përmendet mes zërash rreth mundësisë së anëtarësimin të Kosovës në KiE, është edhe dërgimi i Draftit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Çka pritet të ndodhë?
Presidenti francez, Emmanuel Macron, në një telefonatë me kryeminstrin Albin Kurti në mbrëmjen e së martës, e ka përmendur ‘rëndësinë e përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, në kontekstin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Pas telefonatës së Macron, një lajm i bujshëm vjen më vonë, kur ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili në Interaktiv të KTV-së, tha se ‘duhet të bëhen hapa të prekshëm para anëtarësimit në KiE’.
“Duhet bërë hapa të prekshëm, sepse Këshilli i Evropës i kushton rëndësi të veçantë çështjes së të drejtave të pakicave. Mënyra më e mirë për të treguar se Kosova është e përkushtuar për ta zbatuar atë është fillimi i implementimit të Asociacionit. Pra, të bëjë një hap të prekshëm, sepse edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka thënë se duhet bërë pas pranimit”, tha Rohde në “Interaktiv” të KTV-së.
Hapa të prekshëm – pra me këtë togfjalësh, bashkësia ndërkombëtare po nënkupton fillimin e themelimit të Asociacionit, e që si hap i parë i prekshëm që pret në radhë, është dërgimi i Draftit për validim ose jo në Gjykatën Kushtetuese.
Se kjo nuk do të thotë ‘zbatim’ por vetëm ‘hap i parë i prekshëm’, ambasadori gjerman e pati thënë edhe në një intervistë të para dy muajsh, dhënë për Nacionalen.
“Për çfarë unë shpresoj është që kjo çështje të ec para. Sepse nuk ka nevojë të zbatoni plotësisht Asociacionin dhe sigurisht që jo. Sepse krejt Marrëveshja e Brukselit është e ndërtuar në mënyrën që Serbia bën disa hapa, ndërsa Kosova e ka kryesisht Asociacionin. Ndërsa hapi i parë, sepse është është edhe kjo narrativa që publiku në lidhje me Asociacionin, disa prej dispozitave mund të jenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në rregull. Nëse doni të siguroheni që jo, atëherë çojeni në Gjykatë Kushtetuese. Por, kjo kërkon një veprim nga Qeveria. Pra, Qeveria mund ta njohë/pranojë atë formalisht, dhe të thonë ne kemi disa pyetje dhe Gjykata Kushtetuese duhet ta shtjellojë. Por, duhet akti formal. Dhe kjo s’do të thotë zbatim, por thjesht hap i pare”, pati thënë veç tjerash Rohde.
Këshilli i Evropës është organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinent, e themeluar në vitin 1949, me seli në Strasburg të Francës.
Ajo përfshin 46 shtete anëtare, 27 prej të cilave janë pjesë e Bashkimit Evropian.
Dy organet statutore të këshillit janë Komiteti i Ministrave, i cili përbëhet nga ministrat e jashtëm të çdo shteti anëtar, dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), e cila përbëhet nga anëtarë të parlamenteve kombëtare të çdo shteti anëtar.