Transferimi paqësor i pushtetit në veri: BE-ja lëviz me heqjen e sanksioneve, Kosova do të përfitojë 205 milionë euro
Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur të lëviz në drejtim të heqjes se masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Kjo do t’i mundësojë Kosovës në fillim të muajit të ardhshëm të përfitojë miliona euro ndihmë financiare.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, ka bërë me dije se ky vendim ka ardhur pas kalimit të pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veri.
“Falë kësaj, më vjen mirë të njoftoj se ne do të lëvizim përpara për heqjen e masave ndaj Kosovës. Ne do të programojmë 216 milionë euro asistencë financiare dhe synojmë që të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar ajo në rrjetin X.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se Kosovës do t`i hiqen masat ndëshkuese
Pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Osmani ka thënë se ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen tërësisht në janar.
"Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit", ka thënë ajo.
Në fillim të kësaj jave, Bashkimi Evropiane kishte hequr gjysmën e masave. Nuk ishte e qartë nëse ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji. Kjo pasi disa vende të BE-së si Franca, Italia, Spanja, Hungaria dhe Sllovakia hezitonin ta bënin një gjë të tillë.
Ndonëse prej vitesh zyrtarët e Kosovës kanë kërkuar largimin e këtyre masave, ato nuk ishin hequr.
Heqjen e këtyre masave në mënyrë zyrtare e kishin kërkuar edhe liderët e opozitës në Kosovë.
Këto masa ndëshkuese ishin vendosur në qershor të vitit 2023, pas veprimeve të njëanshme të Qeverisë në veri të vendit.
Masat në fjalë i kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar.