"Tradhti", "si Milosheviqi", "idiot" - si po përkeqësohet gjuha mes LVV-së dhe opozitës? - NACIONALE

"Tradhti", "si Milosheviqi", "idiot" - si po përkeqësohet gjuha mes LVV-së dhe opozitës?

1 vit më parë

nga Arta Avdiu

Gjuha mes pushtetit dhe opozitës ka degraduar. I gjithë ky tensionim diskursiv vjen pas situatës së krijuar në veri nga bojkotimi i institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve. Gjuha është ashpërsuar, teksa pushteti e opozita kanë akuzuar njëra-tjetrën për bashkëpunim me Serbiënë e tradhëti. Madje, një krahasim, që u konsiderua skanaloz, e bëri kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, gjatë një interviste në Pressing të T7.

“Problemi në veri nuk mund të trajtohet me përdorimin e forcës dhe fuqisë. Mënyra si e kemi trajtuar problemin e veriut kohëve të fundit dhe serbëve në veri, unë mendoj se ka rrezik dhe ka ngapak ngjashmëri me qysh na ka trajtu neve Millosheviqi. Duhet të kemi kujdes, sepse ka pak ngjashmëri”, theksoi kreu i PSD-së.

"Pezmatimi" mes LVV-së dhe partive opozitare, PDK, LDK e AAK, u pa edhe dje në Kuvend. Pushteti e opozita rezervuan terme të papranueshme për njëra-tjetrën, përfshirë cilësim jokorrekte si "bandit", "idiot", "e sanksionuar nga ShBA-ja" e të ngjashme.

Njohësit e politikës në vend vlerësojnë se përplasjet e ashpra, e madje eskalimi në gjuhë, është i pritshëm marrë parasysh gjendjen aktuale politike.

Gjuha toksike

Rrahman Paçarizi, profesor universitar, përplasjet me gjuhe kaq të ashpër janë të kuptushme.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, z.Paçarizi vlerësoi se një "luftë" e tillë mes pushtetit e opozitës është rrjedhojë e dështimit të skenës politike në kryerjen e detyrave.

"Përplasjet e kësaj natyre jane te pritura, pasi fatkeqësisht kemi një qeveri rigjide, pa ide kreative, që çdo veprim e kalkulon me vota eventuale që do t'ia sillte filan veprimi. Mungesa e koordinimit me partnerët si SHBA, kur është fjala për interesa strategjike të Kosovës, mendoj se është sirenë alarmi shumë me e fuqishme sesa ato që mund të jehojnë në veriun, tashmë pothuaj të humbur, por të pakten të dalë jashtë kontrollit. As opozita nuk ka deshmu që është me kreative dhe në krye të detyrës, siç thuhet. Një opozitë në krye te detyrës do ta kishte pengu me çdo kusht qeverinë për t'u fute në udhë pa krye siç ka ndodhë tash. E kur asnjëra palë s'kanë ide e dije për t'u përballur me situatën, e bëjnë atë që dinë më së miri- sharjet e akuzat e ndërsjella", ka thënë Paçarizi për Nacionalen.

Polarizimi mes partive politike kosovare nuk e befason as sociologun, Shkodran Ramadani.

Sociologu, që njihet për kritik i pushtetit, tha se fajtori kryesor për gjuhën polarizuese është Lëvizja Vetëvendosje, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

"Ky polarizim nuk me befason aspak. Vetëvendosje është e brumosur mbi impulsin për t'u përplasur, për të linçuar të tjerët e për të përçarë spektrin politik në vend. Sharjet, kërcënimet e akuzat janë vec materializim i këtij mentaliteti. Që nga dita kur Albin Kurti ka ditë me i lidhe dy fjalë me gojën e vet për politike, shpallja e tradhtarëve ka qenë një vepër e zakonshme në repërtoarin e vet. Sot dallimi qëndron vec në atë që përdor platformen e kryeministrit për të ushtruar të njëjtin terror mbi kundërshtarët. Pra asgjë e re për Kosovën. Por ketë herë problemi është se ai ka 51% të votës dhe ky është një problem serioz për shtetin tonë. Sepse qëndrimet e tij tani janë politike zyrtare e shtetit tonë dhe do të na duhet kohë e gjatë të rikuperojmë dëmët e mëdha që ai dhe formacioni i tij politik ia ka shkaktuar, po ia shkaktojnë dhe do t'ia shkaktojnë Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Tradhëtia

Ministra, deputetë dhe oponionistë të afërt me qeverinë kanë sulmuar partitë opozitare, duke e cilësuar bashkëpuntore e Vuçiqit dhe e Serbisë, që kërkojnë t'i përmbushin apetitet e shtetit serb.

Më e ashpra në gjuhë ishte ministrja Albulena Haxhiu, duke i cilësuar qëndrimet e opozitës për keqardhje.

"Ata duan që t'i lëshojmë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit, disa për shkak të lidhjeve me strukturat kriminale e disa të tjerë e kanë mendjen veç tek pushteti.", shkroi Haxhiu ditë më parë.

E gjuhë po kaq të ashpër kishin edhe opozitarët.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook në të cilin ka denoncuar politikën e qeverisë më një gjuhë të ashpër.

Abdixhiku ka thënë që “investimi më i madh i Serbisë në Kosovë” ishte krijimi i bindjes se Kosova mund të ecë përpara pa aleatët ndërkombëtarë.

"Ta lësh Kosovën pa aleatë, është tradhëti. Kërkesa për ecje me ShBA është akt patriotik", ka shkruar Abdixhiku.

Ndërsa kreu i AAK-së, kishe lëshuar takimin me Kurti, pasi sqaroi se nuk arriti ta duronte "ligjëratën" e kryeministrit në takimin e kësaj jave.

Nacionale kishte raportuar se Haradinaj, gjersa po e lëshonte takimin e kishte sharë kryeministrin Kurti.

“Nëse vazhdon qishtu, ja q*ve nanën venit dhe vetit”, ishte fjalia fjalia që Haradinaj ia tha Kurtit në largim e sipër.

Lajme të ngjashme