Top Channel godet Shefqet Kastratin dhe Edi Ramën, trajton skandalin që ishte zbuluar nga Nacionale - NACIONALE

Top Channel godet Shefqet Kastratin dhe Edi Ramën, trajton skandalin që ishte zbuluar nga Nacionale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tash e gjashtë muaj më parë, Gazeta Nacionale pat zgjeruar në detaje problemin me naftë në Shqipëri.

Përmes një video-storie, të bashkangjitur gjithashtu edhe me artikull më pas, redaksia jonë vuri në pah forcën e biznesmenit Shefqet Kastrati, njeriut që raportohet të jetë fituesi më i madh i këtij biznesi.

Fitimi i Kastratit nuk është vetëm për shkak të sasisë që shitet në tregun shqiptar. Analistët nga Shqipëria dyshojnë se baronët e naftës në Shqipëri fusin naftë në mënyrë ilegale.

Nga një gjë e tillë, më së shumti dëmtohet buxheti i Shqipërisë, pasi që një litër naftë e pa doganuar, hyn e paregjistruar edhe në rezervuarin e veturës së qytetarit.

Top Channel

Tani ndërkaq, me të njëjtën temë po merret edhe Top Channel.

Një nga më të mëdhenjtë e televizioneve në Shqipëri ka hedhur akuza në drejtim të ekzekutivit lidhur me çmimin e naftës.

Kujtojmë, vetë ministrja e Financave Delina Ibrahimaj pak ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë pranoi mungesën e kontrollit për sektorin e hidrokarbureve.

Ajo deklaroi se gjurmimi i karburanteve po mbahet pezull, pasi shteti është në një proces gjyqësor me një kompani private, e cila ka hedhur në gjykatë vendimin e Këshillit të Ministrave për këtë proces, raporton Top Channel.

Gjergj Buxhuku, ekspert i Ekonomisë, për mediumin respektiv komentoi këtë çështje, madje duke dhënë edhe variantin e tij, rreth asaj se pse Shqipëria sot renditet në vendet e para të botës për nga çmimi i derivateve.

“Thelbi i çmimeve të rritura të naftës tek ne që mbahen me taksa të larta qeveritare dhe me çmimet e larta që vendos Bordi i Transparencës, por edhe ekonomia e sektorit të karburanteve që është në kushte oligopoli, është Kontrabanda Masive e Naftës. Ky është thelbi i thelbit. Kontrabanda masive e naftës në Shqipëri është e përmasave të tilla kaq të mëdha, sa mjafton që të shikojmë që ne konsumojmë 25% më pak sesa Kosova, konsum i deklaruar flas, ndërkohë që duhet të konsumonim 30-40% më shumë sesa Kosova", tha fillimisht Buxhuku.

Tutje, ai shpalosi shifra të tjera, teksa përmendi edhe aferat e incineratorëve.

"Kjo jep atë shifrën prej të paktën 300 milionë euro në vit taksa dhe tatime të cilat nuk arkëtohen nga shteti shqiptar në aferën e karburanteve që për mendimin tim është afera më e madhe korruptive që ka ndodhur këto 30 vite në ekonominë shqiptare dhe vazhdon të ndodhë edhe sot. Praktikisht është nga një aferë inceneratorësh që kryhet çdo vit. Zgjidhja e këtij problemi kombëtar do një vullnet të madh politik, sepse realisht jo se nuk dihen këto gjëra, por ato me qëllim mbahen të tilla, pikërisht për të realizuar këtë aferë kaq të madhe”- shtoi ai.

Gazetari nga Tirana, Lutfi Dervishi, kishte thënë Nacionales se mijëra tonë naftë hy në këtë formë, për të cilën pastaj ka dyshime edhe për cilësinë. Ndonëse miliona euro tatime për naftën nuk paguhen në buxhetin e shtetit shqiptar, paratë megjithatë përfundojnë në kuletën e baronëve të naftës si Shefqet Kastrati.

Një vit më parë Shqipëria me një popullsi prej 2.7 milionë banorë, sipas të dhënave zyrtare importoi 611.1 mijë ton naftë.

Ndërsa numri i mjeteve sipas Instat llogaritet për vitin 2021 në 740.6 mijë në të gjithë vendin.

Referuar këtyre të dhënave, me një numër të tillë automjetesh dhe këtë sasi karburanti të deklaruar dukshëm Shqipëria nuk e plotëson kërkesën për naftë.

Kjo ngre pikëpyetje dhe shton hije dyshimi se kjo pjesë mbulohet më karburant kontrabandë. Humbjet për shtetin në këtë rast do të ishin të konsiderueshme me të ardhura të munguara për këtë mall akcize.

Lajme të ngjashme