Tjetër zbythje: Nga nesër tërhiqen EDHE 25 për qind e policisë në dhe rreth komunave në veri
Marrëveshja e Bratisllavës, e arritur mes Qeverisë Kurti dhe BE-së, tashmë po zbatohet. Pas largimit të 25 për qind të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve komunale në katër komunat e veriut, tash po paralajmërohet edhe për 25 për qind të policëve në veri. Dhe këtë gjë e ka bërë publike vetë Policiae Kosovës. Çka ndodhi?
Në një njoftim nga Policia e Kosovës, tregohet se është mbajtur një takim punues mes këtij institucioni dhe EULEX-it e KFOR-it, ku është vlerësuar situate e sigurisë në veri të Kosovës.
“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore.” – theksohet fillimisht.
E pas vlerësimeve të përbashkëta, është vendosur se nga nesër (pra e premte 4 gusht) do të zvogëlohet prezenca e policisë së Kosovës në veri edhe për 25 për qind.
“Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri.
Ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës.” – shkruhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Marrëveshja e Bratisllavës
Javë më parë, Qeveria e Kosovës njoftoi se ka arritur një marrëveshje me Lajçakun, duke treguar edhe pikat me të cilat është dakorduar, të cilat mund t'i lexoni më poshtë:
Takimi i ditës së djeshme në Bratisllavë me Pёrfaqёsuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, z. Lajçak, në fokus ka patur krijimin e parakushteve pёr pёrforcim tё fokusit nё zbatimin e plotё, të drejtë dhe tё pakushtëzuar tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars. Ne e kemi një marrëveshje e cila duhet të gjejë zbatim. Nё kёtё kontekst jemi dakorduar sa vijon:
• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm për 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.
• Policia e Kosovёs bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.
• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.
• BE-ja do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.
Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.
Vullneti i jonë dhe konstruktiviteti si palë në këtë proces, asnjëherë nuk ka munguar. E këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë.


