Shtensiomi në veri, Kurti e pranon se i ka tërhequr 25 për qind të policëve: Po i hapim rrugë zgjedhjeve - NACIONALE

Shtensiomi në veri, Kurti e pranon se i ka tërhequr 25 për qind të policëve: Po i hapim rrugë zgjedhjeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Situata në veri ka filluar të shtensionohet, pas marrëveshjes për de-eskalim që u arrit në Bratisllavë të Sllovakisë mes Kosovës dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Për situatën në veri, sot ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili gjendet në Greqi, ku mbajti një fjalim në seminarin “Symi”.

Në një cicërimë në Twitter, z. Kurti deklaroi se rruga për zgjedhje të parakohshme në veri tashmë është hapur. Tutje, shefi i ekzekutivit njoftoi se 25 për qind e policëve në tri objektet komunale në veri janë larguar, ashtu siç edhe parashihej në marrëveshjen e Bratisllavës. Pra tashmë operacionalisht është përmbushur kriteri i largimit gradual të policëve në dhe rreth objekteve komunale, që ishte kërkesë e faktorit ndërkombëtar.

“Deri javën e kaluar, ne kemi reduktuar praninë e Policisë së Kosovës për 25 për qind në tri ndërtesat komunale veriore. Tash po shtrojmë rrugën për zgjedhje të parakohshme. Kosova tashmë po e zbaton në mirëbesim marrëveshjen me BE-në mbi shtensionimin e arritur në Bratisllavë ” – shkroi Kurti.

Ndryshe, Kurti dje kishte një takim me Lajçakun në Greqi, ku po mbahet seminari "Symi", në të cilin Kurti tashmë është bërë mysafir i rregullt. Shefi i Qeverisë së Kosovës shkroi se “moti ishte më i nxehtë se diskutimi ynë”.

"Pati një bisedë të gjatë me Miroslav Lajcakun në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë." - shkroi Kurti.

Marrëveshja e Bratisllavës

Ditë më parë Qeveria e Kosovës njoftoi se ka arritur një marrëveshje me Lajçakun, duke treguar edhe pikat me të cilat është dakorduar, të cilat mund t'i lexoni më poshtë:

Takimi i ditës së djeshme në Bratisllavë me Pёrfaqёsuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, z. Lajçak, në fokus ka patur krijimin e parakushteve pёr pёrforcim tё fokusit nё zbatimin e plotё, të drejtë dhe tё pakushtëzuar tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars. Ne e kemi një marrëveshje e cila duhet të gjejë zbatim. Nё kёtё kontekst jemi dakorduar sa vijon:

• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm për 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Policia e Kosovёs bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

• BE-ja do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.

Vullneti i jonë dhe konstruktiviteti si palë në këtë proces, asnjëherë nuk ka munguar. E këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë.

Lajme të ngjashme